Thaçi: Deklaratat monotone të BE-së për Shqipërinë e Madhe

Prishtinë | 24 Pri 2017 | 19:04 | Nga

Presidenti Hashim Thaçi ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të komisionerit Hahn, që i kishte dhënë pas takimit me Ivica Daçiqin.

Hahn kishte komentuar deklaratën e Thaçit se nëse BE-ja mbyll dyert për shqiptarët, ata do të mund të bëhen bashkë, duke thënë se në këtë mënyrë nuk mund të bëhet presion ndaj Bashkimit Evropian.

“Do të doja të shpreh zhgënjimin tim për shkak të deklaratave nxitëse të disa liderëve në rajon. Mesazhe të tilla mund të shihen si ndërhyrje në punët e brendshme të vendeve fqinje dhe që ndjellin ndryshime të kufijve”, kishte thënë Johanes Hahn.

Por, Thaçi ia ka kthyer duke thënë se fatkeqësisht, një deklaratë e tillë e një komisioneri të BE-së dëshmon saktësisht atë që e ka thënë shumë herë deri më tash, se BE-ja ka mungesë të lidershipit dhe vizionit për konkretizimin e perspektivës evropiane për Kosovën.

“Kjo qasje dëshmon se BE-së, në rastin më të mirë, nuk i bëhet vonë kurrë për Kosovën. Ndërsa, në rastin më të keq, as që do t’ia dijë fare. Diskriminimi dhe izolimi i qytetarëve tanë sot, flet shumë më tepër se deklaratat monotone të disa zyrtarëve të BE-së që përsëriten që nga viti 2000. Projekti i Shqipërisë së Madhe është produkt i propagandës së Serbisë për të realizuar projektin e Serbisë së Madhe, i cili tashmë pothuajse funksionon nën hundën e BE-së”, ka shkruar presidenti Thaçi.

Ky është reagimi i plotë i tij:

Komisioneri Hahn i prekur nga shqetësimet e Serbisë, paska shprehur zhgënjimin e tij për deklaratat që gjoja përfshijnë tendencat për krijimin e Shqipërisë së Madhe. Për më tepër, ai paska shtuar se BE-së nuk mund t’i bëhet presion me deklarata të tilla.

Fatkeqësisht, një deklaratë e tillë e një komisioneri të BE-së dëshmon saktësisht atë që e kam thënë shumë herë deri më tash, se BE-ja ka mungesë të lidershipit dhe vizionit për konkretizimin e perspektivës evropiane për Kosovën. Kjo qasje dëshmon se BE-së, në rastin më të mirë, nuk i bëhet vonë kurrë për Kosovën. Ndërsa, në rastin më të keq, as që do t’ia dijë fare. Diskriminimi dhe izolimi i qytetarëve tanë sot, flet shumë më tepër se deklaratat monotone të disa zyrtarëve të BE-së që përsëriten që nga viti 2000.

Projekti i Shqipërisë së Madhe është produkt i propagandës së Serbisë për të realizuar projektin e Serbisë së Madhe, i cili tashmë pothuajse funksionon nën hundën e BE-së. Nuk ka Shqipëri të madhe apo të vogël, por ka vetëm Shqipëri dhe vetëm Kosovë. Dhe do të ishte mirë që edhe BE-ja ta pranojë këtë realitet dhe të fillojë ta trajtojë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme