Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dënuar sulmin ndaj ambasadores së Kosovës në Vashington, Vlora Çitakut e cila ka qenë në bashkëbisedim në “Denver Women in International Security”, ku ishte edhe ambasadori Christopher Hill.
Çitakun e kishte gjuajtur me vezë një aktiviste shqiptare në ShBA.
“Shprehja e lirë e fjalës dhe mendimit është vlerë fundamentale e demokracisë, e cila respektohet nga të gjithë ne. Kjo e drejtë nuk duhet të keqpërdoret nga askush, duke cenuar integritetin personal të askujt, aq më tepër të një zyrtari shtetëror të institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Thaçi.
“Keqpërdorimi i lirisë së shprehjes, i shoqëruar me dhunë automatikisht shndërrohet në një akt të shëmtuar dhe të dënueshëm, si ai i djeshmi ndaj ambasadores së Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku. Fyerja dhe sulmi ndaj ambasadores Çitaku ishte edhe një tjetër përpjekje e ulët e radhës për të dëmtuar imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Nxitësit dhe ekzekutuesit e veprimeve të tilla të shëmtuara, duhet të ndjehen të turpëruar. përpjekje e ulët dhe dëmtim i imazhit të Kosovës”, ka theksuar Thaçi.