Presidenti Hashim Thaçi, pas kthimit nga Brukseli, ka thënë se bisedimet e mbrëmshme me palën serbe ishin mjaftë të vështira, për shkak të veprimeve të fundit provokative nga ana e Serbisë.
Në një konferencë shtypi në zyrën e tij, pas kthimit nga takimi i nivelit të lartë me delegacionin e Serbisë në Bruksel, Thaçi tha se dialogu me këtë shtet fqinj ka arritur në pikën finale.
Por, kreu i shtetit përsëriti se dialogu nuk ka alternativë. Sipas tij, edhe takimi i mbrëmshëm me palën serbe, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, e ka arritur qëllimi – uljen e tensioneve të krijuara gjatë ditëve të kaluara.
“Mund të them që qëllimi i këtij takimi, që ka qenë ulja e tensioneve, është arritur. Por na mbetet të punojmë shumë për raportet ndërshtetërore. Mendoj se ka pasur mirëkuptim ndërmjet palëve që të ulen tensionet të dy palët përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë jemi dakorduar që dialogu nuk ka alternativë”, ka thënë Thaçi.
Ai shprehu besimin se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e BE-së, do të arrihet dhe do të ketë paqe dhe stabilitet për të dyja vendet.
Presidenti tha se Kosova vazhdon të thërret për paqe, stabilitet dhe fqinjësi të mirë dhe shpreson se do të ketë vullnet edhe nga pala serbe.
“Vetëm një marrëveshje e tillë është garanci për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, garanci për procesin e integrimit të papenguar të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, me theks të veçantë në BE dhe NATO”, tha ai.
“Shpresoj se Beogradi do të respektojë zotimin për uljen e tensioneve dhe shmangien e veprimeve provokuese”, u shpreh Thaçi, duke paralajmëruar vazhdimin e dialogut me Serbinë pavarësisht thirrjes së zëshme nga opozita për ndërprerjen e menjëhershme të tij.
Fjala e plotë i presidentit Thaçi:
Sapo u ktheva nga Brukseli ku së bashku me kryeministrin Mustafa mbajtëm takimin e parë të nivelit politik më të lartë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Znj. Federica Mogherini.
• Padyshim situatat e krijuara pas një periudhe të gjatë të ndërprerjes së procesit të dialogut të nivelit të lartë politik ndërmjet dy shteteve respektive, e posaçërisht pas zhvillimeve të fundit të hidhura me veprime provokative dhe retorikë nacionaliste, kanë bërë që ky takimi të jetë mjaft i vështirë.
• Përkundër këtij fakti, ne jemi liderë shtetërorë dhe kemi përgjegjësi për të punuar me përkushtim për ruajtjen e paqes dhe normalisht, edhe përfundimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
• Mund të them që jam i kënaqur që qëllimi kryesor i këtij takimi, që ka qenë ulja e tensioneve dhe shmangia e provokimeve të panevojshme, është arritur. Mirëpo, na mbetet shumë që të punojmë për normalizimin e raporteve ndërshtetërore.
• Për ne ka qenë shumë e rëndësishme që të flasim hapur dhe të kërkojmë nga Serbia ndalimin e veprimeve që qëllim dhe rezultat e kanë destabilizimin e situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë.
• Këtu, përfshihen të gjitha ato veprime negative provokuese që ndodhën gjatë periudhës së fundit, e që më shumë sjellin kujtime të një të kaluare të hidhur dhe si të tilla ngufatin hapësirën për veprime afirmative dhe pozitive drejt qëllimit të normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve tona.
• Mendoj se ka pasur një mirëkuptim ndërmjet palëve për domosdoshmërinë që të ulën tensionet dhe t’i përkushtohemi procesit të dialogut me seriozitetin më të madh.
• Një dakordim tjetër mes palëve të përfshira ka qenë edhe gatishmëria për intensifikimin e takimeve të nivelit të lartë politik dhe ne si përfaqësues të Kosovës kemi shprehur gatishmërinë tonë që të japim kontributin maksimal konstruktiv në këtë aspekt.
• Në të njëjtën kohë, ne mendojmë se dialogu tanimë ka arritur në fazën finale kur edhe duhet të jetë e qartë se cili është përfundimi dhe rezultati përfundimtar i këtij procesi.
• Në këtë fazë përfundimtare të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, unë shpresoj se me ndihmën e ndërmjetësueses znj. Federica Mogherini, ne do të mund të negociojmë dhe të arrijmë një marrëveshje politike përfundimtare të pajtimit dhe bashkëpunimit reciprok ndërmjet dy shteteve respektive.
• Vetëm një marrëveshje e tillë është garancë për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, garancë për procesin e integrimit të papenguar të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, me theks të veçantë në BE dhe NATO.
• Prandaj, Kosova mbetet tërësisht e përkushtuar në këtë proces tepër të rëndësishëm dhe mbetet faktor determinues në favor të paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor.