Me ftesë të Këshillit Atlantik dhe qeverisë malazeze, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar për në Mal të Zi, ku do të marrë pjesë në Forumin e Sigurisë “То be Secure” (2BS), që mbahet në Budvë.
Presidenti Thaçi bashkë me Presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, do të jenë ndër folësit kryesorë të këtij forumi, ku do të marrin pjesë edhe shumë zyrtarë amerikanë, kanadezë dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian.
Në këtë forum, para përfaqësuesve shtetërorë, diplomatëve dhe pjesëmarrësve të tjerë, presidenti Thaçi do të flasë për perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Ky forum është ngjarje që ndihmon jo vetëm nxitjen e ideve të reja rreth sigurisë, por gjithashtu nxitë edhe të menduarit taktik në përpjekjet për reforma në Evropën Juglindore.
Forumi ka për qëllim ndërtimin e lidhjeve më të ngushta midis akterëve kryesorë dhe partnerëve, për ta bërë rajonin vend më të sigurt dhe për të kontribuar në tejkalimin e sfidave globale në të ardhmen.