Presidenti i vendit Hashim Thaçi në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, së bashku me kryeministrin e Republikës së Kosovë, Ramush Haradinaj, kanë zhvilluar një takim me presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk.
Presidenti Thaçi ka falënderuar kryetarin Tusk për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës në vjetet e fundit, duke mbështetur zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe hapjen e perspektivës evropiane për shtetet e Ballkanit Perëndimor, shkruan EkonomiaOnline.
“Si shteti më pro-evropian, Kosova dhe shtetet tjera të rajonit kanë nevojë për qartësi dhe dinamikë të re të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian”, ka shtuar ai.
Presidenti Thaçi ka shtuar se qytetarët e Kosovës kanë nevojë të bëhen pjesë e mobilitetit në Evropë, përmes liberalizimit të vizave dhe pjesëmarrjes në tregun evropian.
Në këtë takim është biseduar edhe për procesin e liberalizimit të vizave, përmbushjen e reformave dhe për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe arritjen e një marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme, shkruan EO.
“Vendi ynë ka bërë hapa të rëndësishëm në rrugëtimin drejt familjes së madhe evropiane. Procesi i integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian duhet të përshpejtohet me veprime konkrete. Kosova po e përmbushë agjendën evropiane”, tha ndër tjerash, kryeministri Haradinaj.
Ndërkaq, presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, vlerësoi se BE-ja duhet të dëshmojë mbështetjen e palëkundur për perspektivën e rajonit dhe se Brukseli përshëndet çdo progres që ka bërë Kosova.
Pjesë e këtij takimi ishte edhe Ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku.