Kuvendi i Maqedonisë së Veriut sot do të mbajë seancën solemne për inaugurimin e presidentit Stevo Pendarovski.
Fjalimi dhe betimi i Pendarovskit para Kuvendit do të përcillet edhe nga homologët e tij Ilir Meta nga Shqipëria, Hashim Thaçi nga Kosova, Rumen Radev nga Bullgaria, Aleksander Vuçiq nga Serbia, zëvendëskryeministri i Turqisë, delegacioni i Sllovenisë dhe kori diplomatik në vend.
Ndonëse i ftuar, në seancën e të dielës nuk do të merr pjesë presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopulos për shkak të vizitës së tij në Kinë. Në vendin e tij, Qeveria greke ka deleguar ministrin e Jashtëm, Georgios Katrougalos. Në të njëjtën seancë do të marrin pjesë edhe përfaqësues të komuniteteve fetare, gjykatës dhe prokuror.
Pas inaugurimit, Pendarovski do të niset për rezidencën e presidentit në Vodno. Gjatë pranim-dorëzimit të detyrës, Pendarovski do të prezantohet me kabinetin e presidentit në ikje Gjorge Ivanov. Pas përfundimit të takimit, Pendarovski dhe Ivanov do të mbajnë konferencë të përbashkët për media.
Pendarovski zgjidhet president pas fitores në raundin e dytë në zgjedhjet e pesta presidenciale në Maqedoninë e Veriut nga pavarësimi i saj. Në mandatit e tij, Pendarovski do të jetë presidenti i pestë i “Maqedonisë”, ndërsa i pari i Maqedonisë së Veriut.