Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë takimin e dytë në nivelin më të lartë politik më 1 shkurt, në Bruksel nën lehtësimin e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, ka konfirmuar se në takimin e 1 shkurtit janë “ftuar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministri Isa Mustafa si dhe presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, dhe kryeministri Aleksandar Vuçiq”.
Ftesa, atyre u është dërguar nga Përfaqësuesja e Lartë, Federica Mogherini, ka konfirmuar Kocijançiq.
Takimi i parë i këtij niveli, ishte mbajtur më 24 janar, dhe ishte cilësuar si mjaft i vështirë.
Qëllimi i këtyre takimeve, sipas Bashkimit Evropian, është fillimisht ulja e tensioneve mes dy vendeve, pas veprimeve të Serbisë, të cilat nga autoritetet e Prishtinës u cilësuan si provokuese; siç ishte ndërtimi i murit në Mitrovicën veriore, pastaj nisja e trenit nga Beogradi për në Mitrovicë si dhe urdhër-arrestet serbe në Interpol që quan në ndalim liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj në Francë.
Andaj, pritjet janë që të dyja palët të trajtojnë fillimisht çështjen e uljes së tensioneve dhe respektimin e marrëveshjes që të mos ketë, siç është thënë, veprime që nxisin këso lloj tensione.
Të shtunën, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte konfirmuar përmes një postimi në rrjetin social Facebook se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ku ishin dakorduar që të gjitha veprimet të shkojnë në funksion të normalizimit reciprok.
Kurse nga aspekti i temave të papërmbyllura, Kosova dhe Serbia kanë nisur shumë tema, por të cilat ende nuk janë finalizuar, siç është çështja e strukturave paralele të drejtësisë në veri dhe integrimi i tyre, pastaj bisedimet për çështjen e energjisë dhe funksionimit të operatorëve në veri të Kosovës, si dhe tema më e nxehtë ajo e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Nëse i referohemi palës nga Prishtina, këto takime do të duhej të shërbenin edhe për të nisur fazën finale të bisedimeve, deri në arritjen e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve.
Sidoqoftë, mbetet të shihet se cila do të jetë agjenda përfundimtare që do ta përcaktoj në vijim, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, si lehtësuese e dialogut.