Presidenti Hashim Thaçi ka pritur në takim kryeministrin e vendit Ramush Haradinaj. Me këtë rast i pari Ekzekutivit ia ka dorëzuar Thaçit Platformën qeveritare për dialogun Kosovë – Serbi.
Për këtë Thaçi ka njoftuar në Facebook:
Sot e pranova nga kryeministri Haradinaj platformën shtetërore të Republikës së Kosovës për finalizimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Finalizimi i dialogut është një mundësi e mirë për Kosovën që të afrohet me Bashkimin Evropian dhe të forcojë edhe më shumë subjektivitetin ndërkombëtar.
Kjo fazë e dialogut duhet të përmbyllet me një marrëveshje ligjore ndërkombëtarisht të obligueshme, e cila i mundëson Kosovës anëtarësimin në OKB, por edhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial, si dhe duke ecur përpara pa u penguar si shtete fqinje drejt integrimeve euroatlantike.
Ekipi ynë në këtë fazë përfundimtare të dialogut do të jetë gjithëpërfshirës dhe do të ketë bashkëpunim e koordinim të plotë të të gjitha institucioneve të vendit. Ne jemi të përkushtuar që të kontribuojmë në stabilitetin rajonal dhe në krijimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet fqinje.