Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka biseduar sot në telefon me John Bolton, këshilltar për Siguri Kombëtare i presidentit amerikan, Donald Trump.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Thaçi, nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij zyrtare, në rrjetin social Facebook.
“Këtë pasdite kisha një bisedë telefonike me Këshilltarin për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, ambasadorin John Bolton”, ka shkruar Thaçi.
Presidenti kosovar ka thënë se me Boltonin ka diskutuar për “dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe për partneritetin e përhershëm në mes të Kosovës dhe SHBA-së”.
“Ambasadorin Bolton e sigurova se Republika e Kosovës mbetet e përgjegjshme për vazhdimin e dialogut dhe do të flasë me një zë, ashtu siç ka kërkuar Presidenti Trump”, është shprehur Thaçi.
“Ne jemi të bindur se dialogu do të fillojë së shpejti dhe do të përfundojë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që siguron njohjen reciproke dhe anëtarësimin në NATO, BE dhe OKB”, ka shtuar ai.
“Kosova ka ecur gjithmonë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe miqësia do të jetë e përhershme”, përfundon shkrimi i Thaçit.