Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka deklaruar se procesi për themelimin e Gjykatës Speciale, që ka udhëhequr, nuk ka qenë e lehtë.
Thaçi ka thënë se është barrë e rëndë për një shtet të ri, por, sipas tij është e vetmja mënyrë për të hequr qafe një lloj reje të zezë mbi Kosovën. Ai këto komente i ka bërë gjatë një interviste për mediat gjermane.
“Ne nuk kemi asgjë për të fshehur dhe tani i takon kësaj gjykate të bëjë punën e vet pa ndikime politike dhe të zbardh të gjitha dyshimet e ngritura”, ka thënë Thaçi.
Presidenti i vendit ka folur edhe për luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit.
Sipas tij, Kosova vazhdon të jetë e vendosur dhe kampione kundër ekstremizmit.
“Kosova vazhdon të jetë e vendosur dhe kampione në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit. Për këtë kemi marrë lëvdata nga BE-ja dhe SHBA-të. Përkrah partnereve perëndimore, Kosova do të vazhdoj luftën e pa kompromis kundër ISIS. Tash e një vit nuk është regjistruar asnjë kosovar të ketë shkuar të marrë pjesë në luftëra të huaja. Ky përbën një sukses tjetër të angazhimit tonë”, ka thënë Thaçi.