Thaçi ia dorëzon ekipit olimpik flamurin shtetëror, optimist për medalje

Prishtinë | 05 Shk 2018 | 09:50 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidenti Hashim Thaçi ia ka dorëzuar ekipit olimpik, në mënyrë solemne, Flamurin e Kosovës i cili do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në Lojërat Olimpike Dimërore “PyeongChang 2018”, që do të mbahen në Kore të Jugut.

Presidenti tha se marrja pjesë për herë të parë në lojërat olimpike dimërore është lajm i mirë për vendin, prandaj edhe i ka uruar suksese pjesëmarrësit të vetmin në këto lojëra Albin Tahirit, raporton Ekonomia Online.

“Është sot një moment i veçantë për Kosovën, sepse pres delegacionin që do të marrin pjesë na garant olimpike dimërore për herët të parë në historinë e Kosovës. Prandaj e them se edhe për mua si president, edhe për shtetin edhe për shoqërinë kosovare kjo është një ditë e rëndësishme”.

“Shpresoj që nuk do të jetë lajm vetëm pjesëmarrja, por do të kemi lajm edhe fitimin e ndonjë medalje. Të gjithë jemi të orientuar në mbështetje për ndaj Albinit dhe gjithë ekipit. Prandaj edhe sot po i dorëzoj flamurin kryetarit dhe gjithë ekipit që do të ngrihet në Kore për herë të parë. Por është moment i veçantë se kjo po ndodh në 10-vjetorin e pavarësisë në 20-vjetorin e betejës së UÇK-së në Prekaz dhe në 19-vjetorin e lirisë së Kosovës”.

Ai më tej tha se 10-vjetori i pavarësisë e gjen Kosovën në pozitë të mirë sa i përket zhvillimit të sportit.

Sipas kryetarit të shtetit sportit ka ecur me hapa të sigurt duke u bërë anëtare i shumë institucioneve sportive e stolisur me medalje.

“10-vjetori i pavarësisë e gjen sportin si kurrë më parë, e gjen në perspektivë të sigurt. Vetë anëtarësimi në institucione ndërkombëtare është një tregues. Edhe për shkak të talentit dhe punës së mirë të sportistëve, sporti ka ecur hap pas hapi sikurse edhe shteti i Kosovës. Ky është proces i pandalshëm”.

Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani, ka falënderuar presidentin për mbështetjen dhe dorëzimin e flamurit.

Sipas tij, Albini është përgatitur dhe se nuk e ka pasur asnjë dilemë që të përfaqësojë Kosovën.

Hasani ka kërkuar nga presidenti që të jetë pjesë e delegacionit që do të udhëtojë për Koren e Jugut, ngase sipas tij, ky do të ishte motiv për ta, por edhe do të ndikonte në ngritjen e imazhit të vendit.

“Ju jeni i ftuar për të qenë atje. Keni ftesë speciale. Kemi dëshirë që, përkundër agjendës, të jeni atje”.

Ekipin olimpik të Kosovës do ta përfaqësojë skitari Albin Tahiri, i cili ka fituar normën olimpike në pesë disiplina të skijimit alpik: sllallom, sllallom i madh, super-sllallom i madh, lëshim i shpejtë dhe kombinim alpin.

Tahiri ka falënderuar presidentin për mbështetjen duke shpresuar në rezultate në këtë garë, raporton EO.

28-vjeçari i lindur në Slloveni, do të bartë flamurin e Kosovës në ceremoninë hapëse dhe atë mbyllëse. Ekipi olimpik i Kosovës do të udhëtojë për në Pyeong Chang më 5 shkurt.

 

Të ngjashme