Thaçi kishte kërkuar ndërprerjen e audio-incizimit zyrtar para sulmit në Byronë e Sigurimeve

Prishtinë | 25 Tet 2018 | 17:06 | Nga Ekonomia Online

Në një raport të policisë i cili është dërguar pak orë pas incidentit të djeshëm në Byronë Kosovare të Sigurimeve shpjegohen rrethanat se si kishte ndodhur ngjarja në të cilën u përfshi Gani Thaçi, vëllai i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Raporti tregon se incidenti kishte ndodhur gjatë mbledhjes së Byrosë ndërsa kur debati ishte nxehur Thaçi kishte qenë i pari që kishte sulmuar.

Raporti i policit nga vendi i ngjarjes tregon se Thaçi kishte kërkuar nga njëra nga dëshmitaret që të ndalohej incizimi zyrtar i zërit ndërsa nga aty kishte sulmuar shtetasin slloven duke e grushtuar.

Detaje të tjera tregojnë se i dyshuari Enis Qerku ishte futur në sallë dhe kishte sulmuar Blerim Pushkollin.

Raporti i policit i dërguar për eprorët sqaron se viktimat nuk kishin kërkuar tretman mjekësor pas incidentit.

Gjatë ditës së djeshme Policia e Kosovës e ka konfirmuar një incident i cili ka ndodhur rreth mesditës në Prishtinë në të cilin, siç kanë raportuar mediat, ka qenë i përfshirë Gani Thaçi, vëllai i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti, tha për KALLXO.com se policia ka marrë një informacion për një përleshje fizike mes tre personave.

“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore të cilat konform rekomandimeve të prokurorit të shtetit i cili po ashtu ka dalë në vendin e ngjarjes, po ndërmarrin veprimet e mëtutjeshme hetimore e procedurale”, tha zëdhënësja e Policisë.

Edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë e konfirmoi gjithashtu se vëllai i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Gani Thaçi, ka qenë i përfshirë në një përleshje në mjediset e Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Prokurori përgjegjës për komunikim me media në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha, konfirmoi për KALLXO.com se Gani Thaçi bashkë me vozitësin e tij janë duke u hetuar si i dyshuar për këtë incident.

“Të dyshuarit janë Gani Thaci dhe shoferi i tij. I dëmtuar është z. Blerim Pushkolli. Rasti është inicuar si sulm. Ende nuk është marrë vendim për paraburgim”, tha Berisha për KALLXO.com.

Vëllai i Presidentit Hashim Thaçi, Gani Thaçi, është liruar në procedurë të rregullt nga Policia.

Sipas burimeve të KALLXO.com, Thaçi është intervistuar dhe më pas është liruar.

Gani Thaçi është intervistuar nën cilësinë e të dyshuarit, pasi ishte përfshirë në një përleshje që ka ndodhur në Byronë Kosovare të Sigurimeve ku edhe punon Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar rreth incidentit ku ishte i përfshirë vëllai i tij, Gani Thaçi.

Ai tha se është njoftuar për përfshirjen e vëllait të tij në një “përleshje sporadike fizike”.

Thaçi tha se asnjëherë nuk do ta arsyetojë asnjë veprim të kundërligjshëm të askujt, aq më tepër në një rast si ky.

“Të qenit familjar i një zyrtari të lartë nuk nënkupton imunitet dhe amnisti për askënd. Përkundrazi. Përgjegjësia është individuale. I ftoj organet e rendit që ta trajtojnë rastin në përputhje me ligjin”, ka theksuar presidenti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme