Presidenti Hashim Thaçi i ka siguruar nënat kosovare se kriminelët që kanë kryer krim, nuk do të mund të kthehen kurrë në Kosovë, në ditën kur pelegrinë serbë pritet ta vizitojnë Gjakovën.
Në një postim në Facebook, Thaçi ka shkruar se, kudo që gjenden, ata që kanë kryer krime dhe vrasje, nuk do të jenë të qetë derisa të japin llogari para drejtësisë.
Ky është postimi i tij i plotë:
Me nënat gjakovare dhe të gjitha nënat kosovare e ndjej dhe ndaj dhembjen për humbjen e me të dashurave të tyre. I siguroj ato dhe gjithë nënat kosovare, si dhe të gjithë qytetarët e Kosovës se kriminelët dhe vrasësit që kanë kryer krime, kurrë nuk do të mund të kthehen në Kosovë. Kudo që janë, ata nuk do të jenë të qetë, derisa të japin llogari përpara drejtësisë. Ne nuk do të harrojmë kurrë çfarë kemi përjetuar. Me respektin më të madh ju thërras për tolerancë dhe mirëkuptim.
Por, edhe në rast se ju veproni ndryshe, unë përsëri ju kuptoj dhe respektoj njësoj. Një nënë është nënë kudo në botë, pavarësisht përkatësisë etnike apo fetare. Ajo ka nevojë të derdhë lotë dhe të vendosë lule pranë varrit të djalit, vajzës, burrit, motrës, mbesës apo nipit. Të njëjtën të drejtë e ka edhe një baba, një vëlla apo një motër. Secili ka të drejtë ta shuajë mallin dhe të shprehë dhembjen për më të dashurit e tij.