Presidenti Hashim Thaçi ka përkujtuar Enver Zymerin, në 7 vjetorin e rënies së tij, duke thënë se ra herokisht në mbrojtje të integritetit dhe sovranitetit të Kosovës.
Thaçi, në një postim në Facebook, ka shkruar se më 2011 Kosova i ka dhënë fund idesë për ndarje, në kohën kur përflitet në opinion se si opsion mund të hidhet në tavolinën e bisedimeve me Serbinë.
“Në korrikun e vitit 2011 i kemi dhënë fund idesë së Serbisë për ndarjen e Kosovës. Përkushtimi i Enver Zymerit për mbrojtjen e rendit dhe ligjit, si dhe sakrifica e tij për mbrojtjen e kufijve të Republikës së Kosovës, do të kujtohen përherë me nderimet më të larta institucionale”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Zymberi ishte polic i Njësisë Speciale të Forcave Policore të Kosovës që nga viti 2002.
Ai u vra me 26 korrik 2011 në Leposaviq, afër pikës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Enver Zymberi u qëllua gjatë aksionit për të shtrirë kontrollin e Kosovës në pjesën veriore të vendit, përcjell Ekonomia Online.