Presidenti Hashim Thaçi vazhdon të shfaqet kundërthënës në deklaratat e shpeshtuara ditëve të fundit për temën e tij të preferuar- dialogun me Serbinë, shkruan sot Koha Ditore.
Gjatë një konference për media ai ka “siguruar” se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, por pak më vonë ka thënë se do ta shtrojë për diskutim me palën serbe deklarimin plebishitar të Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, të vitit 1992, për bashkim me Kosovën.
Derisa raportimet e medieve rreth opsionit për shkëmbimin e territoreve i ka quajtur “lajme të rreme”, vetë e ka pranuar se do të ketë korrigjim të kufijve me Serbinë.
I pyetur se çka nënkupton vendosja e çështjes së Luginës së Preshevës në tavolinën e dialogut në Bruksel, Thaçi ka deklaruar se, “beson se kjo paraqet korrigjim të kufijve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë” pas njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë.