Pritja solemne e cila u organizua për nderë të shënimit të Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës mblodhi figurat më të larta të institucioneve të vendit, përfshirë presidentin, kryeministrin, kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, ministra, ambasadorë e deputetë e personalitete të tjera të jetës politike e shoqërore në Kosovë.
Në fjalën e tij, presidenti Hashim Thaçi tha se në përvjetorë të tilla të gjithë duhet të bëjnë një bilanc të të arriturave, por edhe sfidave.
“Një dekadë më parë ne vendosëm që të bëjmë një atdhe për të gjithë. Kjo ditë shënon rrugëtimin tonë të pandalshëm të shtetit tonë demokratike. Kushtetuta e Kosovës është më modernia në Evropën Juglindore, duke garantuar lirinë e qytetarëve dhe barazinë para ligjit”, tha presidenti, raporton Ekonomia Online.
“Si sot, para dhjetë viteve nuk ishte vetëm një ditë feste, por edhe zotimi, me ç’rast u zotuam se Kosova do të jetë vend për të gjithë. Një dekadë është shumë pak për një shtet të suksesshëm. Në këtë dekadë funksionimi, janë dhe do të jenë të nevojshme ndryshimet kushtetuese. Zbatimi i kushtetutës është qenësor për shtetin tonë”.
“Gjykata kushtetuese si e pavarur ka luajtur rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe zbatimin e ligjeve”, theksoi kreu i shtetit.
Haradinaj: Nuk ka vend në botë që i respekton më shumë komunitetet
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Kosova si vend i ri është krenare për bazën ligjore dhe kushtetuese.
“Shqiptarët kanë traditë të normave dhe të kodeve dhe iu takojnë popujve më të hershëm që kanë pasur norma dhe kode. Ajo që është karakteristike e kushtetutës tonë ka funksionuar në standardet më të larta, si respektimi i të drejtave të njeriut, integrimi dhe respektimi i komuniteteve”.
Sipas kreut të Qeverisë, në këtë aspekt Kushtetuta e Kosovës është me avancuara në botë. “E di që bota është e madhe, mirëpo nuk e di që ka vend që i respekton më shumë komunitetet”, theksoi Haradinaj.
Kurse, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se kushtetuta e Kosovës ka përcaktuar parimet më të larta të demokracisë.
“Kushtetuta ka përcaktuar të ardhmen e Kosovës, këtë të ardhme të cilën e kemi për obligim ta vendosim si të sigurt. Kjo kushtetutë ka përcaktuar parimet më të larta të demokracisë. Ngjashëm si vetë shteti ynë qe në dekadën e parë e ka mbyllur me sfida të shumta, kjo dekadë ka qenë sfiduese edhe për zbatimin e Kushtetutës”, u shpreh ministri i Drejtësisë.
Rama-Hajrizi: Kushtetuta e Kosovës e avancuar dhe garanton trajtim të barabartë
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, tha se Kushtetuta e Kosovës është moderne dhe garanton sundim të ligjit.
“Kjo ditë dhe kjo kushtetutë na kujton sakrificën e gjeneratave para nesh. Detyrimet që na jep ky dokument kanë të bëjnë me krijimin e një rendi të ri shoqëror, me sundimin e ligjit”.
“Kushtetuta e Kosovës është shumë e avancuar, duke iu garantuar qytetarëve trajtim të barabartë. Mbrojta e të drejtave të njeriut është mision i vazhdueshëm dhe me sfida të kohëpaskohshme”, shtoi Rama-Hajrizi.
Ajo u zotua se gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese do të vazhdojnë të jenë gardianë të zbatimit të ligjit.
Hartuesit e Kushtetutës së Kosovës dekorohen nga presidenti
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në dhjetëvjetorin e miratimit të Kushtetutës së Kosovës i ka dekoruar hartuesit e saj me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë.
Dekoratat iu shpërndahen sot gjatë ceremonisë zyrtare të shënimit të Ditës së Kushtetutës së Kosovës, të organizuar nga Ministria e Drejtësisë.
Këta janë emrat e të dekoruarave për kontributin e dhënë në hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës:
– Prof. Dr. Arsim Bajrami;
– Prof. Dr. Eqrem Kryeziu;
– Prof. Dr. Gjylieta Mushkolaj;
– Prof. Dr. Hajredin Kuçi;
– Z. Ylber Hysa
– Z. Iljaz Ramajli;
– Prof. Dr. Kadri Kryeziu
– Z. Mahir Yagcilar;
– Nekibe Kelmendi (pas vdekjes)
– Z. Ramë Manaj