Thaçi letër Frashër Krasniqit: Dorëhiqu nga posti i deputetit

Prishtinë | 05 Tet 2017 | 16:25 | Nga

Pas grushtimit të deputetit nga Nisma, Milaim Zeka, nga deputeti Frashër Krasniqi, ka ngjallur debat të shoqëruar me shumë kritika ndaj atyre skenave.

Analisti Jusuf Thaçi, ish-drejtor i Arsimit në Komunën e Prishtinës, ka shkruar një letër publike përmes së cilës ka renditur arsyet pse Krasniqi nuk duhet të vazhdojë ta mbajë postin e deputetit.

Thaçi ka thënë që përmes dorëheqjes së Frashër Krasniqit do të bëhej e qartë që Vetëvendosja nuk qëndron prapa veprimit të deputetit të tyre.

Ai në letrën e tij shpjegon arsyet pse një gjë të tillë nuk po e kërkon edhe nga Milaim Zeka për shkak të gjuhës që ai përdor vazhdimisht në publik.

Letër publike deputetit Frashër Krasniqi

I nderuar deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, Frashër Krasniqi,

Pavarësisht se njihemi personalisht, kam vendosur që këtë komunikim me ty të mos e bëj privatisht, por publikisht, andaj po ta drejtoj këtë letër publike. Meqë njihemi personalisht, në këtë letër po të drejtohem me “ti” dhe jo me “ju”, sa për të mos krijuar distancë artificiale mes nesh, me shpresë se kjo nuk paraqet problem për ty!

Përmes kësaj letre publike dua të të lus, sugjeroj, kërkoj, si të duash merre, që të japësh dorëheqje nga posti i deputetit të Kuvendit të Kosovës për shkak të veprimit tënd të papranueshëm të javës së kaluar në studio televizive para publikut, duke goditur personin tjetër në studio, pavarësisht se të gjithë jemi dëshmitarë se ke qenë rënd i provokuar.

Duke qenë deputet i kuvendit dhe përfaqësues i një subjekti politik, pavarësisht se reagimi dhe veprimi yt ka qenë tërësisht individual, personal, emocional, ndoshta dhe instinktiv, sërish ai veprim i yti interpretohet si veprim politik i yti dhe i subjektit politik që ti përfaqëson, gjë që nuk është e vërtetë. Por, për ta dëshmuar pavërtetësinë e këtij interpretimi, mendoj që dorëheqja jote nga pozita e deputetit është e domosdoshme, në mënyrë që ta bësh kristal të qartë ndarjen mes personales dhe politikes, individuales dhe kolektives, grupit, subjektit politik.

Nuk e di ç’të kanë thënë të tjerët për këtë veprim tëndin, por unë e gjykoj atë si veprim të papranueshëm për një deputet dhe veç kësaj jam shumë i bindur që ai veprim e ka dëmtuar dhe do ta dëmtojë edhe në të ardhmen personalitetin tënd dhe Lëvizjen Vetëvendosje. Prandaj, gjykoj që duhet të distancohesh në mënyrë eksplicite nga ai veprim i yti, duke kërkuar falje për sjelljen tënde dhe duke dhënë dorëheqje nga pozita e deputetit. Vetëm kështu do të mund të ndërpritej dëmi për ty dhe për Lëvizjen Vetëvendosje.

Do të më thuash kush je ti që të kërkosh dorëheqjen time?! Ja kush jam unë. Unë jam një qytetar aktiv i Kosovës, që për vite e dekada punoj shumë e ndershmërisht, duke pasur ideal që në këtë vend të kemi një shoqëri e një shtet të drejtë, të zhvilluar e të qytetëruar. Duke punuar për këtë ideal pashmangshëm më janë takuar rrugët me Lëvizjen Vetëvendosje. Prandaj, si qytetar aktiv e kam përkrahur dhe vazhdoj ta përkrahë Lëvizjen Vetëvendosje me të gjitha mundësitë e mia, në mënyrë publike e jo-publike, pavarësisht se asnjëherë nuk kam përfituar asgjë, përkundrazi, edhe në planin personal edhe në atë profesional, jam ballafaquar me hakmarrjen e shumë të fuqishmëve, shumë qeverive dhe shumë kundërshtarëve politikë të Lëvizjes Vetëvendosje. Këto nuk po i them për të treguar se unë jam më meritor se ti për rriten e Lëvizjes Vetëvendosje, nuk pretendoj një gjë të tillë, por për të treguar se nuk kam asnjë interes tjetër që po e shkruaj këtë letër, përveç të mirën e Lëvizjes Vetëvendosje. Po e them këtë edhe për një arsye tjetër. Unë dhe shumë si unë e kemi përkrahur vazhdimisht Lëvizjen Vetëvendosje sepse ajo na ka lënë derën qelë për një gjë të tillë, me punën e parimet e veta, ndërsa nëse ti nuk ndërmerr dorëheqjen pas atij veprimi, atëherë kjo derë së paku gjysmë-mbyllet, në mos u mbylltë e tëra, sepse do ta kemi të vështirë që në të njëjtën kohë edhe të mbesim parimorë edhe të kritikojmë sjelljet e të tjerëve e ta përkrahim Lëvizjen Vetëvendosje.

Do të më thuash pse po insiston dhe po merresh me këtë çështje kur tashmë u harrua?! Ja përse. Vetëm ata që nuk ia duan të mirën Lëvizjes Vetëvendosje dëshirojnë që kjo çështje të harrohet, në mënyrë që kjo të mbetet damkë e përhershme e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të përdoret si akuzë për vite e dekada kundër Lëvizjes Vetëvendosje, si subjekt politik që lejon të mbetet deputet edhe një person që në studio televizive ka goditur dikën me grushte. Prandaj, kjo nuk është ngjarje që harrohet, madje as që duhet harruar bile. Vet Lëvizja Vetëvendosje dhe ti personalisht duhet të kujdeseni që kjo ngjarje të mos harrohet, por të shërbejë si standard i ri në skenën politike të Kosovës që kushdo që kryen një veprim të papranueshëm duke qenë deputet, ai largohet nga kjo pozitë. Me këtë, ti dhe Lëvizja Vetëvendosje tregoheni njerëzorë dhe etikë, sepse pranoni se edhe njerëzit politikë bëjnë gabime, por japin përgjegjësi morale e politike për gabimet e tyre. Kështu, kjo ngjarje s’ka pse harrohet dhe nga damkë shndërrohet në fanar për Lëvizjen Vetëvendosje.

Do të më thuash pse nuk merresh me sjelljet e “atij” deputetit tjetër që provokoi dhe përse nuk kërkon dorëheqje nga “ai”?! Ja përse. Pavarësisht se të jam drejtuar personalisht ty përmes kësaj letre publike, në fakt nuk jam duke kërkuar veprim individual tëndin, por veprim politik të LVV-së përmes teje. Unë besoj në Lëvizjen Vetëvendosje dhe më intereson që ky subjekt politik të krijojë dhe të ruaj standarde të duhura të sjelljes politike në Kosovë. Nuk besoj në subjektet tjera politike në Kosovë, andaj dhe nuk më interesojnë sjelljet e veprimet e tyre, sepse kam humbur shpresën se ato mund të kenë standarde të duhura të sjelljes politike. Thirrja ime për “atë” për dorëheqje nga pozita e deputetit do të ishte thirrje “shkruaje në akull e ktheje nga dielli”. Jemi lodhur nga ta, andaj mos na bëni të lodhemi edhe nga Lëvizja Vetëvendosje.

Do të më thuash pse nuk ke kërkuar asnjëherë dorëheqjen e shumë deputetëve të partive tjera që kanë bërë njëmijenjë të zeza e të këqija në Kosovë? Ja përse. Ata deputetë që ju përkasin partive që e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje të mjerueshme janë plotësisht në përputhje me misionin dhe qëllimet e partive të tyre. Ata dhe partitë e tyre e duan Kosovën xhungël, katrahurë, me kanun, me vetë-gjyqësi, pa rregull, pa parime, pa moral. Ata dhe partitë e tyre duan që qytetarit të Kosovës t’i trashet lëkura sa e krokodilit, sa të mos jetë i ndjeshëm më për asgjë e ndaj asgjëje të keqe, duan që për qytetarin e Kosovës të bëhet e zakonshme dhe e pranueshme gjithçka që për qytetarët e vendeve të qytetëruara është jonormale dhe e papranueshme. Vetëm kështu ata mund të sundojnë dhe ta keqpërdorin këtë shoqëri e këtë vend. Andaj, kritika e sugjerimet janë të kota për ta. Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje është krijuar dhe është rritur pikërisht duke kritikuar, kundërshtuar e kundërvënë një mendësie të tillë, pikërisht duke punuar për një Kosovë tjetër, për një qytetar ndryshe të Kosovës, si në gjithë botën e qytetëruar. Ndaj ty dhe Lëvizjes Vetëvendosje ju kërkojmë standard tjetër.

Do të më thuash se po u dorëhoqe për shkak të kësaj, atëherë i bie si pranim i fajit nga ana jote për veprimin tënd?! Po, pikërisht! Ashtu është, sepse ti vërtet ke bërë faj, ke vepruar gabim. Sjellja e papranueshme e tjetrit ndaj teje nuk e përligjë sjelljen tënde të papranueshme ndaj tij si kundërpërgjigje. Reciprociteti nuk ka vend këtu. Sepse ti je për ta luftuar të keqen e jo për t’u bërë e keqja vet. Ti je duke punuar që kjo shoqëri të emancipohet, në mënyrë që njerëzit si “ai” të mos kenë vend në institucione, por deri atëherë ti nuk guxon të bëhesh si “ai”, apo edhe më i keq se “ai”. Me veprimin tënd ti je bërë si “ai”, pavarësisht se gjithë veprimtaria jote politike është kritikë e kundërshti ndaj një modeli si “ai”. Andaj, dorëheqja dhe pranimi i fajit për veprim të papranueshëm nuk të bën jo-konsistent me veprimtarinë tënde të deritanishme politike. Vetëm nëse ndodh e kundërta, nuk e pranon fajin dhe nuk jep dorëheqje, atëherë je në kundërthënie të plotë me veten e deritanishme.

Për fund, dua të shtoj se jam shumë i vetëdijshëm që dorëheqja nga posti i deputetit është vërtet një sakrificë shumë e madhe, në shumë drejtime – politike, profesionale e financiare. Por, nëse vërtet beson se ia vlen sakrifica personale për hir të të mirës së përgjithshme, atëherë tani e ke rastin ta dëshmosh këtë bindje: jep dorëheqje nga pozita e deputetit të Kuvendit të Kosovës!

Sinqerisht,

Jusuf Thaçi

Prishtinë, më 5 tetor 2017

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme