Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur pas takimit me Ekipin Negociator, ku i ka dorëzuar dokumentin informues në lidhje me bisedimet Kosovë-Serbi, raporton Ekonomia Online.
Ai ka garantuar se me marrëveshjen përfundimtare nuk do të preket Liqeni i Ujmanit, Trepça, veriu i Kosovës dhe Kosovës do t’i bashkohet Presheva.
“Unë vazhdoj të besoj edhe më fuqishëm se herëve të tjera që në marrëveshjen përfundimtare do të kemi përfshirjen e Medvegjës, Preshevës dhe Bujanovcit me Kosovën dhe garantojë, për ti shuar të gjitha spekulimet, se edhe Gazivoda, veriu i Mitrovicës, Trepça do të jenë pjesë e Republikës së Kosovës dhe dëshirojë që të ndalen ose ti hedhë poshtë të gjitha këto thashetheme të ekzagjeruara dhe të panevojshme”, ka thënë Thaçi.
Thaçi ka thënë se dokumentacioni i dorëzuar për ekipin negociator përfshin sfondin e fazës finale të dialogut.
“Sipas konsultave të mëhershme dhe raportimeve tona, unë kam ofruar informatën e nevojshme të përgatitur nga zyra e presidentit, dokument informues për delegacionin shtetëror të Kosovës me qëllim të informoj dhe ndihmoj ekipin negociator, në përmbushjen e detyrave të përcaktuara që kanë marrë. Siç edhe jeni të informuar ky dokument përfshin sfondin e fazës përfundimtare të dialogut Kosovë-Serbi, pastaj pozicionin e përgjithshëm të Kosovës. Në këtë dokument përfshihen edhe vërejtjet, sugjerimet dhe rekomandimet që kemi dhënë dhe që janë të rëndësishme për shfrytëzim për ekipin negociator”, tha Thaçi.
Ai ka thënë se synimi i palës kosovare është qe në ditët dhe muajt në vazhdim të arrijnë marrëveshjen përfundimtare.
“Ky dokument informues përfshin çështje specifike siç janë personat e pagjetur, çështja e personave të zhvendosur, çështja e trashëgimisë kulturore, çështja e pronave, të drejtat e komuniteteve, kthimi i artefakteve etnologjike. Gjithashtu është kërkuar që të gjitha marrëveshjet të jenë pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse. Synimi i palës kosovare që në muajt dhe javët e ardhshme mbetet të arrihet një marrëveshje përfundimtare, ku mbetet dhe njohja nga Serbia, që nënkupton që nuk do të ketë kurrë më luftë mes dy vendeve, të ketë kufij sipas standardeve evropiane”, tha Thaçi, raporton EO.
Ai tha se delegacionin e ka informuar edhe për letrën e dërguar Trumpit për gatishmërinë e Kosovës që të jetë pjesë e dialogut.
Ai ka treguar se në fund kjo marrëveshje synon anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe kurrë më mos të ketë luftë mes Kosovës dhe Serbisë.