Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mori pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, në të cilën tha se akademia e Kosovës dhe e Shqipërisë mund të veprojnë më shumë se kurrë, pasi që nuk ka më diktaturë dhe robëri.
“Është koha që shkencëtarët të vlerësojnë jo vetëm Rilindjen tonë kombëtare, Lidhjen e Prizrenit, por të gjitha periudhat e historisë shqiptare me objektivitet shkencor të dijes bashkëkohore. Historia e vërtetë është një e pakorrigjueshme ndërsa historiografia duhet të rishkruhet”.
Në këtë konferencë, presidenti Thaçi përmendi gjërat që konsideroheshin rrezik për shqiptarët, raporton Ekonomia Online.
“Tri gjëra ishin rreziqe për shqiptarët: Shpërbërja territoriale, asimilimi dhe zhdukja fizike, por me 10 qershor 1878 përfaqësuesit e të gjitha trojeve shqiptare krijuan organizatën me karakter politik, ushtarak që t’i kundërvihej sulmimit të tokave shqiptare me të gjitha mjetet”.
“Kryengritjet e shumta, protestat dhe format e tjera të qëndresës karakterizuan periudhën e Lidhjes së Prizrenit”.
“Lidhja Shqiptare e Prizrenit në rrafshin e brendshëm është produkt i Rilindjes kombëtare”.
Thaçi tha se Kosova pas një qëndrese shumëvjeçare arriti të krijojë organizatën më të rëndësisme siç është UÇK-ja që, sipas tij, është lëvizja më e suksesshme për vendin.
“Pas një qëndrese shumëvjeçare, Kosova arriti të krijojë organizatën më të rëndësishme UÇK-në, UÇK-ja konsiderohet si lëvizja më e suksesshme për Kosovën”.
Floresha Dado, nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, tha se Kosova dhe Shqipëria duhet të vazhdojnë me traditën për organizim të konferencave të përbashkëta pasi që, sipas saj, asnjë ngjarje historike nuk është pronë e një instituti por e të dy vendeve.
“Është një konferencë që sjell koncept më të ri në mënyrën e organizimit të këtyre konferencave për ngjarje të rëndësishme. Kjo konferencë ka rëndësi sepse dy akademitë kanë bashkëpunim në organizim të konferencave të rëndësishme”.
“Asnjë ngjarje historike nuk është pronë e asnjë instituti por është pronë e shkencës shqiptare e cila bëhet në Kosovë, Shqipëri”.
Jusuf Bajraktari, organizator i konferencës shkencore ndërkombëtare, tha se me Lidhjen e Prizrenit u kodifikua besëlidhja shqiptare, raporton EO.
“Me Lidhjen e Prizrenit u kodifikua besëlidhja shqiptare e cila lidhi vizionin e shtetit shqiptar si hisenikër në Evropën Juglindore që duhet konsideruar si faktorët qenësorë, pa llogaritur këtë faktor nuk mund të zgjidhjet asnjë çështje në këtë gadishull”.
Justina Shiroka-Pula, sekretare e Seksionit të Shkencave Shoqërore, tha se kjo konferencë është mundësi për të krijuar një dimension ndryshe për popullin shqiptar.
“Konferenca Lidhja Shqiptare e Prizrenit është inicuar nga dy akademitë, e Kosovës dhe e Shqipërisë. Nga ky bashkëpunim është vlerësuar se Lidhja e Prizrenit ka rëndësi të veçantë. Kjo ngjarje ka rëndësi dhe vlerë historike sepse aty janë vu themelet e shtetit të parë shqiptar të vitit 1912”.
“Kjo konferencë është mundësi dhe sfidë për të krijuar një dimension ndryshe për popullin shqiptar”.