Thaçi në Iowa, pritet nga Guvernatorja Reynolds e nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi

Prishtinë | 09 Gus 2018 | 13:35 | Nga

Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi, po qëndron për vizitë zyrtare në ShBA, në shtetin Iowa, ku është pritur nga Guvernatorja, Kimberly Reynolds.

Rreth kësaj vizite, Thaçi tha se së bashku me stafin e Shërbimit Korrektues dhe Konsullin në Iowa, Xhavit Gashin, ka zhvilluar takim me Guvernatoren e këtij shteti, Kimberly Reynolds.

“Kam qenë i nderuar nga pritja dhe gatishmëria e përkrahjes pa rezervë nga Guvernatorja Reynolds, e cila për vendin tonë, bënte nderimin dhe përkrahjen e gjithanshme”.

“E falënderova sinqerisht për pritjen, me dhënien e premtimit se besimi i saj dhe miqve tanë në ShBA ndaj vendit tonë është i mirëseardhur, me zotimin se me angazhimin tonë, ky mirëbesim çdo ditë do të rritet”.

Sipas tij, në takim, është rikonfirmuar gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit, në fushën e Shërbimit Korrektues, duke nënshkruar edhe Marrëveshjen e Bashkëpunimit, me Drejtorin e Shërbimit Korrektues të Iowa-s, Jerry Bartruff.

“Me Marrëveshjen e Bashkëpunimit, kemi saktësuar fushat e përkrahjes për Shërbimin tonë korrektues, duke e bërë atë më të avancuar, sa më profesional dhe të besueshëm për institucionet dhe qytetarët e vendit, duke zbatuar praktikat më të mira të kësaj fushe të ndjeshme”, tha ai.

Sipas tij, marrëveshja parasheh trajnimin për stafin, duke e bërë shërbimin edhe më të aftë, përball sfidave globale.

“Mikpritësit e mi i falënderova sinqerisht, duke shprehur interesim që sa më parë të filloj së zbatuari Marrëveshja e cila parasheh edhe trajnimin për stafin tonë, duke e bërë shërbimin tonë edhe më të aftë, përball sfidave globale. Jemi të bekuar me miqësinë e ShBA-së, ashtu siç jemi ne të gjithë të bekuar nga përkrahja e fuqishme që vije nga përtej Atlantiku”.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme