Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një ligjërate para studentëve dhe profesorëve të Universitetit të Oxfordit ka folur për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Thaçi ka theksuar se në 20 vjetet e fundit, nga liria deri te shtetndërtimi i suksesshëm, Kosova e ka arritur edhe përmes gatishmërisë që në raste të caktuar të bëjë kompromise.
“Natyrisht se Kosova është gati për dialog, gati për kompromis, gati për negociata, gati për marrëveshjen historike për normalizim të marrëdhënieve dhe pajtim ndërshtetëror. Kjo është rruga e vetme për Kosovën dhe Serbinë që të lëvizin sa më shpejt drejt së ardhmes evropiane, përndryshe do të mbesim peng i njëra-tjetrës”, ka shtuar Thaçi.
Sipas tij, nuk ka qenë e lehtë të bindet bota për të arritur deri te liria dhe pavarësia e Kosovës. “Kauza e jonë e drejt dhe standardet demokratike që kemi respektuar, kanë rezultuar me suksese”, ka shtuar ai.
Presidenti Thaçi është shprehur optimist se Kosova do të bëhet pjesë e BE-së dhe NATO-së, derisa pas arritjes së marrëveshjes ligjërisht të obligueshme me Serbinë, do të bëhet edhe anëtare e OKB-së.