Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka treguar se çfarë është diskutuar në takimin joformal të liderëve të Ballkanit Perëndimor.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili mori pjesë në takimin e krerëve të Ballkanit Perëndimor i cili u mbajt në Bruksel, ka bërë të ditur se në këtë takim është diskutuar për liberalizimin e vizave, dialogun Kosovë-Serbi si dhe për metodologjinë e re të BE-së për anëtarësim.
Thaçi ka bërë të ditur se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave dhe se një gjë e tillë është thënë në këtë takim, por siç u shpreh ai, duke e parë që qytetarët e Kosovës ende janë të izoluar, Thaçi ka thënë se i ka pyetur liderët e BE-së se “çka duhet të bëj Kosova më tepër që të ndodhë ky vendim?”.
“Mendoj se ishte diçka e re, sepse në të kaluarën nuk kanë ndodhur gjëra të tilla që të gjithë liderët e Bashkimit Evropian t’i ftojnë të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor në një takim të tillë që në fillim të tyre. Ishte një atmosferë e mirë, korrekte, konstruktive. Më tepër ishte të dëgjojnë opinionet tona për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Mendoj se ajo çka ishte shumë e rëndësishme ishte se u theksua qartë se nuk mjafton që vetëm të takohemi dhe të bisedojmë e të dëgjohen opinionet tona, por kërkohet nga Bashkimi Evropian të merren masa konkrete, vendime konkrete që sjellin vendime të mira për qytetarët e Ballkanit Perëndimor dhe në këtë drejtim para së gjithash për hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por edhe domosdoshmërinë për çka theksova edhe një herë në takim që Kosovës t’i ndodhë liberalizimi i vizave. Ne nga viti 2015-2016 kemi implementuar në tërësi të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Dhe pyetja ime ishte shumë e qartë për të tre liderët e BE-së, se “çka duhet të bëj Kosova më tepër që të ndodhë ky vendim?”. Përgjigja ishte shumë e qartë, Kosova ka kryer obligimet e veta dhe tash i mbetet Këshillit të merr vendimin politik”, deklaroi Thaçi.
Presidenti Thaçi po ashtu ka thënë se shpreson që Bashkimi Evropian dhe të gjitha shtetet anëtare të saj, të jenë unike në vendimin për Kosovën.
“Shpresoj që Bashkimi Evropian, të gjitha shtetet anëtare të jenë unike në këtë të drejtë të qytetarëve të Kosovës, të thyhet ky izolim i padrejtë dhe ndëshkues për qytetarët e Kosovës. Realisht edhe ne nuk duhet të bëjmë gabime të tjera politike, sepse edhe në vitin 2016 Bashkimi Evropian ishte i gatshëm që të marrë vendime, por pastaj na dolën problematika të brendshme politike të spektrit politik dhe institucional në atë kohë. Dua të theksoj se lidershipi i ri i Bashkimit Evropian do të jetë më konkret dhe do t’i kuptoj me të drejtë kërkesat e qytetarëve të Kosovës dhe tërë Ballkanit Perëndimor”, theksoi Thaçi.
Temë e diskutimit në këtë takim ishte edhe dialogu Kosovë-Serbi, ku sipas Thaçit, shpreson që edhe në këtë çëshjte BE-ja të jetë unike dhe të arrihet marrëveshja përfundimtare mes të dyja vendeve.
“Gjithashtu u diskutua mundësia e vazhdimit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, me mundësinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare. Në këtë drejtim Bashkimi Evropian do të jetë unik në mbështetje shpresoj. Edhe gjithashtu edhe mundësia për të emëruar një të ngarkuar special për çështjen e Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit”, u shpreh Thaçi.
Sipas presidentit Thaçi, në këtë takim ndër të tjera është diskutuar edhe për metodologjinë e re, ku bëri të ditur që ka kërkuar që BE-ja të respektoj kriteret dhe standardet e të mos jetë siç tha ai, “për dikë nënë e për dikë njerkë”.
“Gjithashtu u diskutua edhe për metodologjinë e re dhe kërkova që kjo metodologji të jetë e respektuar me kritere e standarde për të gjitha vendet dhe jo “për dikë nënë e për dikë njerkë”, siç ka ndodhur në të kaluarën”, deklaroi Thaçi.