Thaçi: Pa luftën e drejtë të UÇK-së, Kosova s’do bëhej vend i lirë

Prishtinë | 11 Pri 2018 | 13:50 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Është mbajtur akademi përkujtimore për shënimin e Ditës së Dëshmorëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”/ Dita e rënies së Heroit Agim Ramadani, në kuadër të Manifestimit Tradicional “Ditët e Shqipes”.

Presidenti Hashim Thaçi tha se Beteja e Koshares dhe ajo e Pashtrikut treguan se UÇK ishte e gatshme të luftonte për liri, raporton Ekonomia Online.

“Dy ditë më parë me nderime të larta institucionale u shënua përvjetori i 19-të i Koshares. Kosova kishte hyrë në fazën përfundimtare të çlirimit. UÇK-së iu kishin bashkuar jo vetëm pjesëtarë nga Kosova, por edhe nga diaspora. Beteja e Koshares dhe ajo e Pashtrikut treguan se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte e gatshme për operacione ushtarake. U arrit dëbimi i Ushtrisë serbe dhe shembja e gurit të kufirit. Shembulli i komandantit Adem Jashari ishte përcjellë edhe te komandantët e tjerë.

Me Agim Ramadanin u takova disa herë. Ai ishte njeri i vizionit politik, njeri i artit, ishte pa parti. Qëllimi i tij ishte i qartë. Me herët kisha dëgjuar nga miqtë e përbashkët për të. Ishte i vendosur për luftë, sepse e shihte si të vetmen alternativë. Me Xhemajl Fetahun u takova shpesh, kudo që ishte bashkonte dhe afronte njerëzit pa dallime politike.

Jemi krenarë që i përkasim brezit që çliroi Kosovën. Brenda këtij harku kohor, Kosova ka shënuar përparim të jashtëzakonshëm. Qytetarët tanë dhe shteti i Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë kanë qëllimin e Integrimeve Euroatlantike”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se krenaria e kombit shqiptar gjendet në shumë ngjarje e beteja që u zhvilluan për liri, raporton EO.

“Janë njerëz që kanë pasur rrugë të gjatë jetësore në shërbim të atdheut. Janë njerëz që u kanë rezistuar edhe përçarjeve, edhe fyerjeve, edhe pengesave, dhe nuk ka mund kush me i ndalë deri në flijimin e tyre për atdhe. Shqiptarët kanë të drejtë me qenë krenarë. Gjithë kohën ishin në presion, ata ishin nën idenë që nuk duhet përkrahur idenë e lirisë. Sot ne mund të themi edhe t’i kujtojmë edhe mendimtarët edhe luftëtarët, mirëpo duhet të mburrem me figurat si Agim Ramadani, Sali Çekaj e Xhemajl Fetahaj”, tha Haradinaj.

Anton Çuni, deputet dhe pjesëtar i Brigadës 138, tha se nga Agim Ramadani kujtojnë trimërinë dhe vullnetin për liri.

“Ne bashkëluftëtarët nuk e kemi të lehtë të flasim për shokët e rënë për liri. Edhe po t’i gjejmë fjalët, kemi frikë që na përfshijnë emocionet dhe fjalët na mbesin në gjysmë dhe kështu rrëfimi mbetet i papërfunduar. Çdo njeri nga bashkëluftëtarët kujton ndonjë ndodhi me Agimin, por secila në vete bartë një porosi. Për ne ish-bashkëluftëtarëve nuk është e mjaftueshme që vetëm me fjalor ushtarak t’i përkujtojmë, na duket sikur nuk e kanë fuqinë për ta përshkruar atë”, tha ai.

Lorina Ramadani, e bija e heroit Agim Ramadanit, tha se shpreson që amaneti i babait të saj të dërgohet në vend nga institucionet e vendit.

“Babi përveç se ishte ushtar i lirisë ishte është poet e dashurisë. Ne shpresojmë që ju si udhëheqës të shtetit dhe përgjegjës të amanetit do të bëni më të mirën për atë gjak të derdhur, do të bëni më të mirën për Kosovën”, tha ai.

 

Të ngjashme