Thaçi pas takimit me partitë: Në ditët e ardhshme, Kosova do të ketë Qeveri të re

Prishtinë | 22 Pri 2020 | 18:11 | Nga Ekonomia Online

Presidenti Hashim Thaçi, pas takimit me përfaqësuesit e partive politike në Kosovë, ka paralajmëruar se në ditët e ardhshme, Kosova do të ketë Qeveri të re dhe nuk do të ketë shpërbërje të Kuvendit dhe as zgjedhje të reja.

“Nga 120 deputetë, përfaqësuesit e 91 prej tyre u shprehën për krijimin e një Qeverie të re të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Unë do ta respektoj vullnetin e tyre, Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, ka shkruar Thaçi në faqen e tij në Facebook.

Në takim, presidenti Thaçi ka kërkuar nga partitë politike që të deklarohen a janë për zgjedhje apo kjo legjislaturë e Parlamentit e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019 të krijojë një Qeveri të re.

Vetëvendosje ishte e vetmja parti që është favor të zgjedhjeve të reja. Ndërsa LDK, PDK, Lista Serbe, AAK, Nisma, AKR dhe përfaqësuesit e partive nga minoritete joshumicë janë për krijimin e një qeverie e re “duke respektuar procedurat kushtetuese”.

POSTIMI I PLOTË:

Sapo përfundova takimin me liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe nga 120 deputetë, përfaqësuesit e 91 prej tyre u shprehën për krijimin e një Qeverie të re të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Unë do ta respektoj vullnetin e tyre, Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Në ditët e ardhshme, Kosova do të ketë Qeveri të re dhe nuk do të ketë shpërbërje të Kuvendit dhe as zgjedhje të reja. Kosova ka aftësi dhe maturi që edhe përkundër kësaj pandemie të formojë Qeveri të re dhe të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës. HTH

Të ngjashme