Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka thënë se skandali i fundit ku u përmend edhe emri i kreut të Kuvendi, Kadri Veseli, si i përfshirë në aferën e fajdeve, është maskarallëk.
Sipas kreut të shtetit, Veseli është viktime e këtij maskarallëku, raporton Ekonomia Online.
“Hetuesia duhet ta kryejë punën e vet. Jam i tmerruar me mashtrime dhe përgjime dhe keqpërdorimet e emrave publikë tash e një kohë të gjatë se fundmi edhe me kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli”.
“Ai shquhet edhe për pastërtinë e tij dhe për moralin dhe etikën e tij të punës dhe hetuesia duhet ta kryej punën e vet sepse po shihet që ai veç është një viktimë e maskarallëkut”.
Nënshkrimi i kontratës dhe marrja e lejes për ndërtimin e një spitali në hapësirat e QKUK-së, dyshohet se ka përfshirë në fajde, mashtrim dhe detyrim, një grup prej së paku 8 personash.
Dy protagonistët në këtë video, flasin për shuma të mëdha parash që biznesmeni Faton Dalladaku thotë se i dha për t’u ndërtuar spitali privat.
Teksa flasin për Rrahim Hashimin, si personi që do t’i ndihmonte Dalladakut për ta ndërtuar spitalin, ky i fundit, për këtë, përmend edhe emrin e Kadri Veselit.
Personi tjetër në këtë video është Kadri Rexhepi, që duket se luan rolin e ndërmjetësuesit mes Rrahim Hashimit e Faton Dalladakut.
Të hënën, policia ka arrestuar 5 persona:Rrahim Hashimin, Ismet Osmanin, i njohur si “Curri”, Ilir Bojkun, Mentor Maqanin dhe Adil Thaqin, nën dyshimin për fajde, detyrim dhe mashtrim.
Gjykata Themelore e Prishtinës ka refuzuar kërkesën për një muaj paraburgim për Rrahim Hashimin, ndërkaq 4 të tjerëve u janë caktuar 30 ditë paraburgim.