Thaçi për mobilizim të ushtrisë serbe: Vuçiqi e di që s’mund të niset drejt Kosovës

Prishtinë | 28 Maj 2019 | 11:39 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidenti, Hashim Thaçi ka komentuar deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për gatishmërinë e ushtrisë të Serbisë, pas ndërhyrjes së Policisë në veri, raporton Ekonomia Online.

Sipas Thaçit kjo është deklaratë populiste. Kreu i shtetit shtoi se Vuçiqi e di që nuk mund të niset drejt Kosovës.

Ngase për çdo rast institucionet e Kosovës, përfshirë FSK-në janë në gjendje gatishmërie.

“Është një deklaratë populiste, një deklaratë që ka parasysh opinionin e brendshëm në Serbi. Presidenti i Serbisë e di shumë mirë që nuk mund të lëvizë në drejtim të Kosovës, diçka që është e pamundur dhe e paimagjinueshme dhe edhe vet ai është i pa bindur por në çdo rast institucionet e Republikës së Kosovës duke përfshi edhe FSK janë në gjendje gatishmërie”.

“Deklarimet populiste nuk janë kërcënime për luftë, janë për opinionet e tyre të brendshme për të fituar një simpati më të madhe brenda opinionit publik më Serbi”.

“Kërkojmë nga Serbia që të tregojë bashkëpunim në luftë kundër krimit të organizuar që nuk është vetëm lokal por edhe rajonal. Më vjen keq që Beogradi nuk duhet të lejojë në asnjë rrethanë që të jetë një adresë e mbrojtjes së njerëzve të involvuar në krim çfarëdo nacionaliteti përkundrazi do të duhej të tregonte angazhim konkret”.

“Policia po e kryen në përpikëri të gjitha obligimet dhe ka pasur tentime për barrikada por rrugët janë të hapura dhe nuk do të lejohet asnjë barrikadë të vihet nga askush”.

Ai ka komentuar edhe deklaratat e Vuçiq për bashkim kombëtar. Thaci tha se kufiri i Kosovës dijet dhe Serbisë nuk do t’ia  mbërrijë kurrë “ymri” të kthehet në Kosovë.

“Kufiri i Kosovës është në pikat 1 dhe 31 dhe përgjatë territorit me Serbinë, është i njohur ndërkombëtarisht. Serbia dhe Vuçiq ka menduar edhe më herët se Kosova s’ka me na mbërri ymri kurrë me qenë të lirë dhe të pavarur, por ja që jemi dhe nuk kemi Serbi në Kosovë dhe që nuk do t’ia mbërrijë kurrë ‘ymri’ Serbisë me u kthyer në Kosovë”.

Sipas tij, sa më shumë që të vonohet liberalizimi i vizave për kosovarët aq më shumë do të rritet angazhimi për bashkim me Shqipërinë, raporton EO.

“Theksoj se sa më tepër vonohet BE-ja me Kosovën për liberalizim të vizave dhe agjendën tjetër për më tepër po rritet angazhimi dhe vullneti i të gjithëve për një angazhim të përbashkët të institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë që të ndodhë bashkimi kombëtar”.

“…pra Kosovë dhe Shqipëri të jetojnë në një shtet të përbashkët në ombrellën euroatlantike sigurisht duke përfshirë edhe Preshevën, Bujanovcin dhe Medvegjën në territorin e Republikës së Kosovës. Askush nuk duhet t’i frikësohet bashkimit kombëtar”.

Këto komente ai i bëri pasi në zyrën e tij kishte mbledhur të gjitha strukturat e sigurisë në Kosovë.


LEXONI EDHE:

https://ekonomiaonline.com/politike/thaci-ne-mesin-e-te-arrestuarve-ne-veri-edhe-nje-rus-u-kamuflua-si-diplomati-dhe-pengoi-policine/

Të ngjashme