Presidenti Hashim Thaçi, duke përkujtuar 20 vjetorin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, ka thënë se drejtësia ndërkombëtare ka dështuar në ndëshkimin e krimeve serbe në Kosovë.
Thaçi përmes një statusi në rrjetin e tij social Facebook, ka shkruar se përgjegjësit e këtij krimi vazhdojnë të jenë të lirë në Beograd, duke udhëhequr institucione dhe duke u dekoruar nga shteti serb.
Sipas tij, heshtja ndërkombëtare përballë këtyre krimeve nuk është në shërbim të drejtësisë dhe paqes, por në shërbim të kriminelëve.
“U bënë 20 vjet nga vrasja e vëllezërve Bytyqi dhe përgjegjësit e këtij krimi vazhdojnë të jenë të lirë në Beograd, duke udhëhequr institucione dhe duke u dekoruar nga shteti serb. Drejtësia ndërkombëtare ka dështuar në ndëshkimin e krimeve serbe në Kosovë: të vrasësve të mbi 13 mijë civilëve shqiptarë, ndëshkimin e kriminelëve serbë që dhunuan mbi 20 mijë gra shqiptare, që vranë mbi 1300 fëmijë dhe kryen rreth 400 masakra anekënd Kosovës. Kriminelët serbë që i kryen këto krime, që bënë spastrim etnik, duke i larguar prej shtëpive të tyre mbi 1 milion shqiptarë, që kryen gjenocid mbi popullsinë e Kosovës, vazhdojnë të sillen lirshëm dhe janë tërësisht të amnistuar nga drejtësia ndërkombëtare. Kosova, qytetarët tanë, kërkojnë drejtësi. Heshtja ndërkombëtare përballë këtyre krimeve nuk është në shërbim të drejtësisë dhe paqes, por në shërbim të kriminelëve”, ka shkruar Thaçi në Facebook.