Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi sot se Kosovën në marrëdhëniet me Serbinë “e presin ditë të rënda” dhe se kërkon “mobilizim politik dhe qytetar për t’iu kundërvënë aktiviteteve të tilla të Serbisë”.
Ai ka thënë se këtyre trysnive dhe provokimeve Kosova do t’u përgjigjet me forcën e ligjit dhe me përdorimin e të gjitha mundësive kushtetuese dhe ligjore.
“Të gjithë duhet të mobilizohemi, si në kuptim politik ashtu edhe në atë qytetar, për t’iu kundërvënë trysnisë që Serbia po e ushtron mbi Kosovën, sepse plani i tyre është ndarja e Kosovës dhe që pjesa veriore e vendit t’i bashkohet Serbisë. Ne këtë kurrë nuk do ta lejojmë”, ka thënë Thaçi për agjencinë serbe të lajmeve, “Beta”.
“Këtë do t’ua themi qartazi edhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe ne nuk do të lejojmë që të vihet në pikëpyetje integriteti territorial dhe sovraniteti i Kosovës”, ka thënë Thaçi në Bruksel në prag të takimit të sotëm të delegacioneve të Kosovës e Serbisë.
Thaçi ka thënë se takimi i sotëm në Bruksel përbën “hapjen e kapitullit të fundit” në bisedimet me Serbinë të cilat, sipas tij, do të përfundojnë me njohjen reciproke ndërshtetërore.
Ai ka vlerësuar se nuk ka nevojë që të dy vendet të rikthehen ne marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve të vitit 2013, që kur disa marrëveshje janë jetësuar, e disa të tjera janë në prag të realizimit, por se duhet kthyer nga e ardhmja dhe të bëhet çmos për normalizimin mes dy shteteve.
“Serbia duhet t’u jep fund provokimeve të rënda ndaj Kosovës, të tilla si fletëarrestet, treni dhe muri në Mitrovicë”, ka thënë Thaçi.
Duke komentuar kritikat e ashpra të opozitës për vazhdimin e dialogut me Serbinë, presidenti kosovar ka shprehur falënderimin që disa nga partitë politike kanë qenë pjesë e bisedimeve dhe përfaqësuesit e të cilëve kanë marrë pjesë në dialogun mes Kosovës e Serbisë dhe për votimin e tyre në Kuvendin e Kosovës në favor të marrëveshjes së vitit 2013.
“Tani nevojitet mobilizim politik e qytetar për t’iu kundërvënë trysnive të Serbisë. Na presin ditë të rënda në marrëdhëniet me Serbinë”, ka thënë Thaçi për agjencinë serbe të lajmeve, “Beta”.