Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur në takim Ministren e Shtetit për Punë të Jashtme të Japonisë, Toshiko Abe, me të cilën ka biseduar për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve dhe për temat me i interes bilateral.
Presidenti Thaçi ka falënderuar ministren Toshiko Abe për mbështetjen politike që Japonia i ka dhënë Kosovës në tri dekadat e fundit, sidomos në zhvillimin ekonomik, në arsim, media dhe ambient.
“Këto ditë shënojmë 10 vjetorin e lidhjeve të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve. Vizita juaj në Kosovë dhe nënshkrimi i marrëveshjeve ndërmjet dy shteteve do ta forcojë edhe më shumë këtë bashkëpunim. Për neve Japonia mbetet një shtet strategjik”, ka theksuar presidenti Thaçi.
Përveç temave politike dhe ekonomike, në këtë takim është biseduar edhe për bashkëpunimin kulturor dhe sportiv.
Presidenti Thaçi ka theksuar se Kosova me atletët e talentuar mezi pret të marrë pjesë në Lojërat Olimpike që do të mbahen në Tokio më 2020.
Nga ana tjetër, Ministrja e Shtetit për Punë të Jashtme të Japonisë, Toshiko Abe, ka ofruar mbështetjen e Japonisë për Kosovën në të gjitha fushat.
Ajo ka theksuar se shumë shpejt Japonia do të hapë edhe ambasadën e saj në Prishtinë, e cila do t’i lidhë edhe më shumë dy shtetet dhe dy popujt.
Në fund, presidenti Thaçi ka mirëpritur hapjen e ambasadës japoneze në Prishtinë si një hap të madh drejt forcimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve tona.