Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka shprehur ngushëllime për familjen dhe miqtë e gazetarit dhe publicistit Qani Mehmedi, i cili ndërroi jetë sot pas një sëmundje me të cilën ishte duke u përballur.
“Me pikëllim mora lajmin për vdekjen e gazetarit dhe publicistit të njohur, Qani Mehmedi. Qaniu ishte një zë origjinal në të gjitha periudhat nëpër të cilat kalojë shoqëria shqiptare. Familjes Mehmedi dhe gjithë miqve u shpreh ngushëllimet më të sinqerta”, ka shkruar Thaçi.
Qani Mehmedi lindi më 1953 në Dragomisht të Vogël në Kërçovë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, gjimnazin në Tetovë kurse studimet për gazetari dhe diplomaci në Universitetin e Prishtinës ndërsa magjistroi në shkencat politike në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës. Punoi gazetar dhe redaktor në gazetat ”Bota e re “ dhe “Zëri i Rinisë”, redaktor në Radio Televizionin e Prishtinës , në Radio Zagreb dhe në Radio Televizionin Shqiptar. Ishte redaktor i revistës “Dituria”.
Pas luftës punoi redaktor në Radio Televizionin e Kosovës, kryeredaktor në të përditshmen “ Lajm” kurse aktualisht ishte redaktor në Radio Kosovë.