Thaçi-Schmidit: Mbesim shteti më pro-europian në rajon, presim afrimin me BE-në

Prishtinë | 26 Tet 2017 | 09:27 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidenti Hashim Thaçi, ka pritur në takim Sekretaren e Përgjithshme të Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (ShEVJ), Helga Schmid, me të cilën bisedoi për të arriturat e fundit të Kosovës, për reformat e vazhdueshme në Kosovë dhe konfirmimin e perspektivës europiane të Kosovës.raporton Ekonomia Online.

“Zgjedhjet e suksesshme komunale dhe betimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet jo-shumicë janë hapat më të fundit të mëdhenj të Kosovës”, theksoi presidenti Thaçi.

“Po vazhdojmë me sukses reformat në politikë, sundim të ligjit e ekonomi, që sa më shpejt të lëvizim, me hapa konkretë, drejt Bashkimit Europian”, u shpreh Presidenti.

Duke folur për Kosovën në rajon, Presidenti u shpreh se Kosova ka ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjithë dhe shtoi se dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë duhet të shërbejë për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe pajtim në mes dy shteteve.

“Dialogu duhet të kthehet në proces për pajtim, miqësi dhe bashkëpunim të mirë ndër-fqinjësor në mes të Kosovës dhe Serbisë”, vijoi ai.

Sekretarja e Përgjithshme Schmid u shpreh se BE mbetet e përkushtuar për pranimin e Ballkanit Perëndimor në gjirin e saj dhe ftoi që të intensifikohen përpjekjet për reforma në të gjithë sektorët.

Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova mbetet shteti më pro-europian në rajon dhe mirëpret çdo afrim me BE-në.

Sekretarja e Përgjithshme Schmid do të takohet më pas me kryeministrin Ramush Haradinaj, pas takimit të dy do të deklarohen për media.

Pas Haradinjat, ajo do të takohet me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli. Pasdite Schmid do të takohet me përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ata të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini emëroi Schmid sekretare të Përgjithshme të Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (SHEVJ), vitin e kaluar, pasi nga kjo pozitë dha dorëheqje Alain Le Roy.

Schmid në këtë pozitë është nga shatori i vitit të kaluar, e në Kosovë është për herë të parë në vizitë zyrtare.

Të ngjashme