Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se Dita e Tokës, 22 Prilli, i shërben tërë botës si alarm për rritjen e kujdesit dhe për një ndërgjegjësim kolektiv për rëndësinë e mjedisit ku jetojmë.
“Njerëzimi sot është një prej dëmtuesve më të mëdhenj të tokës, pyjeve, lumenjve dhe gjitha resurseve të tjera, prandaj ne të gjithë duhet të reflektojmë dhe të jetojmë duke u përkujdesur për gjithçka që na rrethon. Shkenca ka grumbulluar mjaft fakte që tregojnë se dy dekadat e ardhshme do të jenë vendimtare për fatin e planetit tonë”.
Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se të gjithë duhet të kujdesen për një mjedis sa më të pastër dhe me më shumë gjelbërim.
“Duhet që secili prej nesh të përkujdeset që mjedisi të jetë sa më i pastër dhe me sa më shumë gjelbërim, si dhe të kufizojmë përdorimin e produkteve që ndotin dhe dëmtojnë natyrën. Vetëm atëherë ne të gjithë do të jetonim më shëndetshëm dhe do ta ruanim planetin tonë për gjeneratat e ardhshme”.