Thaçi: Serbia kreu gjenocid dhe spastrim etnik në Kosovë, s’do ta harrojmë kurrë

Prishtinë | 28 Mar 2019 | 13:26 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nën patronatin e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është mbajtur akademi përkujtimore me rastin e 20-vjetorit të Masakrës së Izbicës, raporton Ekonomia Online.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, tha se sot kujtohen 147 qytetarë që ranë në masakrën e Izbicës të cilët pësuan si pasojë e terrorit të Serbisë të viteve 99 dhe më herët.

“Shteti i Serbisë bëri gjenocid dhe spastrim etnik në Kosovë, dëboi mbi 800 mijë shqiptarë nga trojet e veta, dogji pasurinë e qytetarëve tanë. Asnjëherë nuk do harrohet ky gjenocid i Serbisë i kryer në Kosovë. Sivjet Kosova shënon 20-vjetorin e çlirimit, kjo ditë nuk do vinte kurrë pa luftën e drejtë të UÇK-së, pa sakrificën e qytetarëve të vendit, nuk do vinte pa sakrificën e 2000 dëshmorëve dhe heroizmin e komandantit Jashari dhe familjes Jashari”, tha ai.

Ai tha se Kosova kurrë nuk do harroj tragjeditë dhe krimet që kreu Serbia.

“Jo rastësisht Serbia kreu këto krime, në çdo fshat të Drenicës, sepse Drenica ishte fitorja e Kosovës, ishte lindja e UÇK-së për zgjerim në Kosovë. Ne do të ruajmë marrëdhëniet me shtetet e botës demokratike në krye me SHBA-në. Kosova është duke ecë ngadalë, por sigurt ne anëtarësimin në NATO, BE duke ruajtur raporte me SHBA-në. Do kujtojmë gjithmonë të rënët për liri dhe duke i treguar gjithë gjeneratave se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë”, shtoi Thaçi.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj,  tha se dhimbje të tilla Kosova ka shumë shpesh ku ngjarjet e tilla janë në çdo zonë të Kosovës.

“Kjo ditë është e dhimbshme, me dhimbje të madhe dhe fatkeqësisht kemi shumë të tilla ditë, edhe familjarët e martirëve të Izbicës, masakrës më makabre që u bë në Kosovë ku u vra edhe fëmija ende pa mbush 1 vit, do ta kishim më lehtë sikur ta kishin vetëm ju këtë dhimbje, por është në gjithë atdheun tonë”, tha Haradinaj.

Ai tha se Kosova do të bëj edhe më shumë në zbardhjen e fatit për të pagjeturit ku sipas tij kjo çështje ka ngecur mjaft shumë deri më tani.

“Një ngecje e ngadalshme e zbardhjes së fatit të pagjeturve dhe mosvendosja para drejtësisë e këtyre krimeve. Në Dukagjin janë mbi 10 të tilla, çdo perspektivë e drejtave për Kosovë e viktimave nuk është zhvendos, është një neglizhencë e faktorëve relevant për të vendosur ketë të drejtë. Po na kërkohet edhe njëherë me vërtetu pafajësinë tonë, por nuk po shikojnë viktimat tona”, tha ai.

“…E kemi një dakordim që të avancojmë bazën ligjore dhe statusin ligjor për martirët dhe të pagjeturit të avancojmë në nivel të duhur, edhe ky avancim prapë nuk e zëvendëson dhimbjen e ndjenjën e gjithë neve se Kosova kërkon drejtësi”, shtoi Haradinaj.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, tha se Kosova sot më shumë se kurrë duhet qëndruar e bashkuar për t’i dëshmuar të tjerëve që mund të rezistojnë në çfarëdo rrethane siç bënë 20 vjet me parë.

“Për humbjen që nuk përballohej dot regjimi serb filloi të zbatoj planin më ç’njerëzor që ka njohur njerëzimi, ata që dalloheshin nga egërsia nuk dinin veç se të vrisnin njerëzit, baballarët e nënat, na vranë fëmijët, por dështuan të vrasin ëndrrën tonë, lirinë që ne po e gëzojmë sot”, tha Jashari.

Ai tha se Drenica e Kosova u venë në anën e drejtë të UÇK-së pa pyetur për çmimin, ku familje të tëra i rezistuan kësaj dhune.

“Masakra e Izbicës është një nga goditjet më të mëdha që armiku i bëri popullit tonë, është dëshmia më e mirë se si u krye gjenocid në popullatën e pafajshme duke përfshirë gjitha moshat. Okupatori këtë e bëri që të nis shpërnguljen dhe të bëj spastrim etnik”, tha ai.

Të ngjashme