Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar sot Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Kotzias.
Kreu i shtetit e falënderoi ministrin Kotzias për mbështetjen e Greqisë dhe qëndrimin pozitiv ndaj Kosovës në proceset integruese rajonale dhe euro-atlantike.
“Përkundër mungesës së njohjes, e vlerësojmë pozitivisht nivelin aktual të dialogut politik ndërmjet dy shteteve. Ne e kemi shprehur gatishmërinë tonë për të ruajtur e thelluar shkallën e arritur të bashkëpunimit politik duke vazhduar praktikën e takimeve dhe vizitave të niveleve të larta politike, të cilat kontribuojnë në ecurinë pozitive të marrëdhënieve tona fqinjësore dhe që nxisin bashkëpunimin dhe dialogun mes dy vendeve”, ka thënë presidenti Thaçi gjatë takimit.
Ai shprehu bindjen e tij se njohja e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran nga Greqia do të forconte stabilitetin dhe paqen në rajon dhe do të promovonte perspektivën euro-atlantike të Kosovës dhe të gjithë rajonit.
Gjatë takimit me Ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Kotzias, presidenti Thaçi theksoi se Kosova shume shpejt do te hap Zyrën për Çështje Ekonomike në Athine e cila do të jetë katalizator i rritjes së bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy shteteve respektive.