Presidenti Hashim Thaçi ka pritur në takim një grup të arbëreshëve të Italisë që po qëndrojnë për vizitë në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Thaçi ka falënderuar ata për kontributin e tyre të dhënë gjatë kohës së luftës. Sipas tij, shqiptarët në çdo kohë duhet të ndihen krenarë me arbëreshët pasi kanë çfarë të mësojnë nga jeta e tyre.
“Është kënaqësi e veçantë që ky delegacion gjendet në Kosovë në këtë kohë kur po shënojmë 20-vjetorin e lirisë dhe çlirimit që ju për të keni dhënën një kontribut të jashtëzakonshëm. Sot ndihem shumë i nderuar që tu drejtohem në këtë takim”.
“Shqiptarët në çdo kohë kudo që janë ndihen shumë krenarë me ju dhe kanë shumë çfarë të mësojnë nga jeta puna dhe veprat e juaja sepse ju jeni rrënjët tona të mirëfillta dhe gjeneza jonë. Keni ruajtur gjuhën e të parëve tanë traditat besimin dhe kulturën autoktone”.
Sipas Thaçit tri gjëra i kanë bashkuar arbëreshët e Italisë me shqiptarët e Kosovës, figura e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, Flamuri Kombëtarë dhe Gjuha shqipe.
“Ndjehem mirë që sot takoj njerëzit që kanë ruajtur historinë e tyre por i kanë kontribuo shtetit ku jetojnë. Tri gjëra kanë qenë për ju dhe për ne të shenjta si figura e Gjergj Kastriotit Skënderbeu, flamuri kombëtar dhe gjuha shqipe”.
“Ju i keni dhënë Lëvizjes Kombëtare shumë, asaj politike dhe kulturore në krye me kolosin e letërsisë Jeronim De Rada. Sot jemi shumë krenarë për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm. Ju jeni në shtëpinë tuaj”.
Ndërsa Ministri i Diasporës, Dardan Gashi, tha se këto takime duhet të jenë një fillim i bashkëpunimit që do i ndihmojë Kosovës dhe Shqipërisë drejtë rrugës së Bashkimit Evropian, raporton EO.
“Sot arbëreshët për ne kanë një rol të rëndësishëm janë pjesë e popullit tonë i cili është pjesë i Bashkimit Evropian”.
“Duhet të jetë një fillim i bashkëpunimit të gjatë që do i ndihmoj Kosovës dhe Shqipërisë drejtë rrugës së BE-së. Shpresoj që do jemi bashkë shumë shpejtë në shtëpinë e madhe të Bashkimit Evropian”.
Rosario Petta, përfaqësues i arbëreshëve të Italisë tha se me ardhjen e tyre në Kosovë ata përfaqësojnë ngjyrat e Italisë.
“Kanë qenë këto ditë shume të bukura, ne këtu përfaqësojmë ngjyrat e Arbërisë. Por ne jemi pjesa më e dukshme dhe sipas këngëve, valleve dhe ngjyrave ne shfaqim gjuhën dhe kulturën arbëreshe, ishte kënaqësi që të jemi sot së bashku këtu”.