Dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka takuar kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Dakën.
Në një shkrim të bërë në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, Thaçi ka thënë se me Dakën kanë biseduar për procesin zgjedhor.
“Me kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka biseduam për rrjedhat e deritashme të procesit zgjedhor dhe shprehëm besimin se zgjedhjet parlamentare do të jenë të lira, fer dhe gjithëpërfshirëse”, ka shkruar ai.
Thaçi ka thënë se ka falënderuar kryetaren Daka dhe KQZ-në, për përgatitjen e suksesshme të zgjedhjeve me bindjen se edhe kësaj here qytetarët dhe subjektet politike do ta dëshmojnë pjekurinë e tyre.