Presidenti Hashim Thaçi ka komentuar deklaratat e ambasadorit amerikan, Greg Delawie, i cili për herë të parë nuk e ka mohuar mundësinë që në dialogun e Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë të flitet për territore.
Sipas Thaçit, deklaratat e ambasadorit të SHBA-së janë nxjerr nga konteksti. Thaçi është i bindur që SHBA do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën, raporton Ekonomia Online.
“Nuk e ka thënë që SHBA-të e heqin mbështetjen. Uroj të mos dëgjoj dhe të jetoj atë kohë kur SHBA thotë se heq mbështetjen për Kosovën. Këshillat SHBA-së kanë qenë te mirëseardhura, edhe deklarimi i sinqertë dhe shumë i përgjegjshëm i ambasadorit duhet të merret seriozisht, nga të gjithë pa dallim. Kur flet ambasador i Amerikës, flet shteti, kësaj radhe ka folur ambasadori i shtetit më të fuqishëm në botë.
“Mos vini dilema ne këtë partneritet dhe miqësi. Ju siguroj se marrëveshja do të jetë e dakorduar plotësisht me SHBA-në dhe BE-në. Kjo garancë është besim për ne se do të kemi sukses. Lexoni mirë çfarë ka thënë, lexojeni mirë tekstualisht e jo të komentuar e deformuar nga mediumet”, ka thënë Thaçi raporton Ekonomia Online.
Sidoqoftë, Thaç ka paralajmëruar që marrëveshja përfundimtare me Serbinë do të jetë e dhimbshme dhe e vështirë.
“Do të jetë marrëveshje shumë e vështirë dhe e dhimbshme. Me kompromise kemi ecur deri këtu, në Rambuje, edhe në Vjenë”, deklaroi Thaçi
Thaçi është pyetur disa herë se a do te ketë shkëmbim apo ndarje territoresh, por ai nuk është përgjigjur për këtë çështje.
“Kosova është vend i pavarur dhe sovran. Marrëveshja në mes të dy vendeve të pavarura dhe sovrane dhe nënkupton njohje formale”, tha Thaçi.
Kur u pyet se a do t’i ketë Kosova këto kilometra katrorë territor, pas marrëveshjes me Serbinë, Thaçi bëri me gisht kah deklarata e pavarësisë, raporton Ekonomia Online.