Thaçi thotë se me shkarkimin e rektorit, Vetëvendosje kapi UP-në

Prishtinë | 21 Tet 2022 | 16:59 | Nga Ekonomia Online

Ish-zëvendësministri i Arsimit, Jusuf Thaçi, ka akuzuar partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, për shkarkimin e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti. Sipas tij, VV-ja ka vepruar sikur ish-pushtetarët me qasje të njëjtë.

Të premten, Këshilli Drejtues i UP-së vendosi për shkarkimin e Sahitit, me tetë vota pro nga nëntë anëtarët.

Sipas Thaçit, konsensusi i lartë i Këshillit, që ka pesë anëtarë të përzgjedhur nga Senati i UP-së dhe katër të deleguar nga Ministria e Arsimit, mund të tregojë vetëm se “Rektori ka qenë skandaloz në menaxhim të UP-së dhe si rezultat i këtij keq-menaxhimi është rritur presioni publik për shkarkimin e tij, ose se “Grupet e interesit të lidhura me pushtetin dhe grupet e interesit brenda UP-së janë unifikuar për të çuar përpara interesat e tyre në dëm të interesit, integritetit, autonomisë, stabilitetit dhe cilësisë së UP-së”.

“Meqë opsioni i parë nuk është i vërtetë, sepse nuk kemi parë skandale të rektorit dhe organizatat që e monitorojnë UP-në kanë konstatuar punën e mirë të tij, atëherë opsioni i dytë del të jetë i vërtetë. Sigurisht e vërtetë e hidhur! Me këtë veprim të shkarkimit të rektorit, i cili nuk do të mund të ndodhte pa të deleguarit e MASHTI-t në KD të UP-së (pra nuk do të ndodhte pa miratimin e ministrisë/qeverisë), Lëvizja Vetëvendosje foli qartë: ‘Nuk po na intereson që UP-ja me qenë e mirë, po na intereson që UP-ja me qenë e jona!’. Pra, saktësisht e njëjta qasje ndaj UP-së që e kanë pasur të gjitha partitë tjera politike që kanë qeverisur në Kosovë që nga paslufta. Bravo LVV! Po me rektorin ç’patën!?” ka shkruar Thaçi në Facebook.

Të ngjashme