Thaçi: Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë profesionale

Prishtinë | 25 Nën 2016 | 13:49 | Nga

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar Ditën e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) pjesëtarëve të kësaj force dhe tërë qytetarëve të Kosovës.

“Forca e Sigurisë së Kosovës është rritur në një forcë të standardeve më të larta ndërkombëtare, duke bashkëpunuar ngushtë me NATO-n dhe ushtritë e vendeve tona mike, nga SHBA-ja e deri te Evropa”, u shpreh presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi theksoi se “Forca e Sigurisë së Kosovës” është sot një forcë profesionale, multi-etnike, me përfaqësim të duhur gjinor, sukseset e së cilës kanë tejkaluar kufijtë e Kosovës.

”Njësitet e saj morën medaljen e artë në manovrat në Britani të Madhe, kadetët e saj trajnohen dhe dallohen për suksese në akademitë më prestigjioze ushtarake në botë. Trupat e kësaj force ndihmojnë në aksione të kërkimit-shpëtimit në rajon e më gjerë”, i numëroi sukseset e FSK-së presidenti Thaçi.

“Ata janë krenaria jonë, besimi ynë në të ardhmen tonë të sigurt, në paqe e stabilitet”, ka thënë presidenti Thaçi për pjesëtarët e FSK-së.

Kreu i vendit gjithashtu konfirmoi se e ardhmja e FSK-së është në zhvillimin e saj në ushtri të Kosovës.

“Forca e Sigurisë së Kosovës tashmë është gati që të shndërrohet në Forcat e Armatosura të Kosovës. Do të jetë kjo një forcë e standardeve më të larta të NATO-s, profesionale, me përfshirje të gjerë të të gjitha komuniteteve dhe gjinive, që do të angazhohet për paqe dhe stabilitet në Kosovë, rajon dhe kudo në botë”, përfundoi presidenti Thaçi.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme