Presidenti Hashim Thaçi është sprapsur të mërkurën nga versioni që në fillimjavë e ka dhënë përkitazi me motivet që e kishin shtyrë të udhëhiqte procesin e formimit të Gjykatës Speciale. Ai u është kthyer arsyetimeve të vjetra, shkruan sot Koha Ditore.
Mbështetur në atë që Thaçi ka thënë të hënën, në një tryezë të organizuar nga shoqëria civile me temën “Perceptimi publik i Gjykatës Speciale të Kosovës: rreziqet dhe mundësitë”, Specialja është formuar pas premtimit të ndërkombëtarëve se Kosova do të siguronte një varg përfitimesh.
“Nga bashkësia ndërkombëtare na u premtua se do të mundë të aplikonim për anëtarësim të shpejtë në Këshillin e Evropës, që do të ndodhte liberalizimi i vizave shpejt, që do të kemi mbështetje masive për anëtarësim në UNESCO, se do të themelonim Forcat e Armatosura të Kosovës shpejt dhe se do të kemi njohje të reja. Kosova mbajti fjalën – themeloi gjykatën. Bashkësia ndërkombëtare asnjë nga këto premtime nuk i realizoi. Përkundrazi, Kosovës iu vështirësua rrugëtimi euroatlantik”, kishte thënë saktësisht Thaçi në konferencë.
Të mërkurën ka thënë se mediat nuk kishin raportuar drejt kur, tek kanë cituar këtë deklaratë, kanë dhënë interpretimin se premtimet ishin dhënë në këmbim të formimit të gjykatës.