Me dhjetëra marrëveshje të nënshkruara mes Kosovës e Shqipërisë kanë mbetur vetëm në letër, teksa nisma e treshes Zaev – Rama – Vuçiq për krijimin e një “Mini- Shengeni Ballkanik” ka thelluar edhe më tej ndasitë në mes të dyja shteteve.
Kështu të paktën thonë njohësit e çështjeve politike në Kosovë e në Shqipëri, të cilët i fajësojnë autoritetet e të dyja vendeve për mungesë vullneti për t’i forcuar lidhjet mes vete, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Që nga takimi i parë qeveritar Shqipëri – Kosovë në janar të vitit 2014 qeveritë e të dyja vendeve kanë nënshkruar me dhjetëra marrëveshje, të cilat kanë pasur për qëllim qeverisje të përbashkët strategjike me një vizion euroatlantik, teksa implementimi i tyre në anën tjetër vazhdon të jetë tejet i zbehur.
E thellimit të ndasive mes Kosovës e Shqipërisë, sipas njohësve të rrethanave politike të Shqipërisë dhe të Kosovës, po i kontribuon edhe më shumë moskoordinimi i Tiranës zyrtare me autoritet kosovare për nismën e të ashtuquajturit “Mini-Shengen Ballkanik”, shkruan tutje “Zëri”.
Kjo iniciativë e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq e la jashtë Kosovën, e cila nuk u ftua në takimin e parë në Novi Sad të Serbisë.