Thellohet deficit tregtar i Kosovës

Prishtinë | 25 Sht 2017 | 14:08 | Nga

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin gusht 2017.

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 6.3% në muajin gusht 2017, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2016, gjegjësisht në vlerë prej 264,7 milionë Euro, krahasuar me deficitin prej 249,0 milionë Euro në vitin 2016. Eksporti mbulon importin me 11.0%.

Eksporti i mallrave në muajin gusht 2017 kishte vlerën 32,5 milionë Euro, ndërsa importi 297,3 milionë Euro, që është një rritje prej 51.9% për eksport si dhe prej (9.9%) për import, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 33.6% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 20.0% e përbëjnë produktet minerale; 11.5% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 9.1% e përbëjnë produktet bimore; 8.5% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 3.4% e përbëjnë lëkura dhe artikujt prej saj; 2.0% e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tij, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 15.3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 14.8% e përbëjnë produktet minerale; 10.8% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 10.0% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 7.3% e përbëjnë mjetet e transportit; 7.0% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 6.1% e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre; 4.7% e përbëjnë tekstili dhe artikuj prej tij, etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 8,0 milionë Euro, ose rreth 24.6% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 72.3%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (5.3%), Britania e Madhe (3.8%), Holanda (2.9%), Austria (2.8%) etj.

Ndërkaq, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 122,2 milionë Euro, ose 41.1% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 11.8%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (11.1%), Italia (7.1%), Greqia (4.7%), Polonia (2.9%) etj.
Në muajin gusht 2017, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 16,4 milionë Euro, ose 50.4% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 49.4%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (17.2%), Maqedonia (13.1%), Serbia (13.0%), Mali i Zi (3.9%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin gusht 2017, arritën në 86,9 milionë Euro, ose 29.3% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 13.1%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (15.3%), Maqedonia (5.1%), Shqipëria (4.9%) dhe B&H (3.2%).

Eksportet e Kosovës në vendet e tjera të botës arritën në 8,1 milionë Euro, ose 25.0%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: India (15.7%) dhe Zvicra (4.8%).

Ndërsa, importet e Kosovës nga vendet e tjera të botës arritën në 88,0 milionë Euro, ose 29.6%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Kina (9.5%) dhe Turqia (9.3%).

Të ngjashme