Me vendim të Këshillit Drejtues të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), është themeluar Qendra për Zhvillim të Karrierës (QZHK). Qendra fillimisht do të funksionoj në kuadër të Zyrës për Informim dhe Komunikim me Publikun.
Rektori, Alush Musaj, tha se themelimi i Qendrës për Zhvillim të Karrierës (QZHK), në kuadër të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” është një projekt tepër i rëndësishëm për studentët dhe vetë Universitetin. “Një qendër e tillë do të jetë një pikë e rëndësishme informacioni dhe ndërmjetësimi për studentët”.
Ndërsa drejtori për Informim dhe Komunikim me Publikun, Ahmet Jashari, tha se kjo qendër do të ndihmoj rritjen e prestigjit të UMIB-it dhe do të krijoj mundësi për thithje të granteve dhe donacioneve të ndryshme që kanë të bëjnë me vetë qendrën, mirëpo edhe vetë Universitetin. “QZHK do të ndihmoj studentët e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, sa i përket zhvillimit të njohurive dhe shkathtësive që do t’u ndihmojnë për punësim, ofrimin e mundësisë për studentët që të fitojnë përvojë pune gjatë studimeve, ofrimin e informatave për tregun e punës, ofrimin e mundësisë për qasje në informata për studime, trajnime, seminare, ligjërata dhe aktivitete tjera”, tha ai.
Ndryshe, QZHK do të ndihmoj në zhvillimin e aftësive, njohurive dhe shkathtësive, të cilat janë kyçe për procesin e punësimit të studentëve dhe të diplomuarve, do të ofroj shërbime të digjitalizuara për edukim, këshillim, zhvillim dhe orientim në karrierë etj.