Themelorja shtyn ekzekutimin e vendimit që konstaton shkeljet e Kushtetueses

Prishtinë | 18 Nën 2016 | 08:41 | Nga

Pas padisë që Gjykata Kushtetuese ka bërë kundër vendimit të shkallës së dytë të Inspektoratit të Punës, Departamenti për Çështje Administrative në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka vendosur që të shtyjë ekzekutimin e tij, deri në një vendim përfundimtar gjyqësor për këtë çështje.

Vendimi i Inspektoratit, i cili është atakuar nga Kushtetuesja, ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë të këtij institucioni me të cilin janë konstatuar disa shkelje ligjore të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në procedurën, fillimisht të pranimit e më pas të largimit nga puna të këshilltarit ligjor, Xhemajl Veliq.

Dy prej veprimeve, sipas Inspektoratit kundërligjore, mbajnë firmën e kryetares Arta Rama-Hajzeri.

Sipas vendimit të Inspektoratit, të nxjerrë më datën 25 korrik të këtij viti, i cili është vërtetuar edhe në shkallën e dytë me një vendim të nxjerrë më 16 shtator të këtij viti, në procedurën ndaj Veliqit nuk janë respektuar Ligji i Punës, Ligji për Gjykatën Kushtetuese, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese, Rregullorja për procedurat e rekrutimit, të emërimit dhe të punës provuese të stafit në Gjykatën Kushtetuese dhe Udhëzimi mbi praktikat dhe mbi funksionimin e njësisë ligjore. (Koha Ditore)

Të ngjashme