Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpall aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Leotrim Rama, për tentim vrasje të babë e bir, Ahmet e Gëzim Bajrami.
Rama po akuzohet për plagosjen me thikë të të dëmtuarve Ahmet dhe Gëzim Bajrami në qershor të këtij viti në Qendrën Tregtare “Engineering”, dhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, për të cilën e kishte pranuar fajësinë.
Aktgjykimi është shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Kuqi.
Rama është dënuar me 2 vite burgim për veprën penale të vrasjes në tentativë, ndërsa 6 muaj për armëmbajtje pa leje.
Ndaj tij është shqiptuar dënimi unik në kohëzgjatje prej 2 vite e katër muaj.
Ai është obliguar të paguaj shpenzimet procedurale në shumë prej 50 euro në emër të paushallit, 50 euro për kompensimin e viktimave të krimit.
Pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest juridiko – civil, ndërkaq i akuzuari është udhëzuar që pas marrjes së aktgjykimit në formë të shkruar mund të paraqes ankesë në Gjykatën e Apelit përmes kësaj gjykate, raporton “Betimi për Drejtësi.
Sipas aktakuzës së ngritur më 5 korrik 2021, Leotrim Rama akuzohet se më 1 qershor 2021, në Prishtinë, në Qendrën Tregtare “Ingjinjering”, derisa të dëmtuarit Ahmet dhe Gëzim Bajrami (babë e bir) kanë qenë duke pastruar qendrën tregtare, i akuzuari Rama ka trokitur në derën kryesore të kësaj qendre, ku i dëmtuari Ahmet Bajrami i ka thënë se lokali është mbyllur.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari kishte insistuar duke e goditur derën dhe nga frika i dëmtuari Ahmet e ka hapur derën, kështu që i akuzuari Rama me qëllim që ta privojë nga jeta fillimisht e godet me thikë të dëmtuarin Ahmet në regjionin muror të kokës, duke i shkaktuar plagë shqyese.
Tutje, sipas aktakuzës, kur i dëmtuari Gëzim Bajrami, i cili gjendej në katin e dytë të qendrës tregtare, ka dëgjuar krismat ka zbritur për të parë se çfarë po ndodhë me babanë e tij, në atë moment i akuzuari Rama me dashje që ta privojë nga jeta e godet me thikë në kokë dhe pjesë të tjera të trupit, me ç’rast i shkakton plagë prerëse-shpuese.
Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë” nga neni 172, lidhur me nenin 28 të Kodit Penal.
Ndërsa, diapozitivi i dytë i kësaj aktakuzë, e ngarkonte Ramën edhe me veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 të Kodit Penal, sepse në të njëjtën datë, vend dhe kohë si në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze ai ka mbajtur në pronësi dhe posedim një thikë në shkelje me ligjin e zbatueshëm për armët.