Kryetari i PD-së, Lulzim Basha thotë se janë dy arsye që po i çojnë shqiptarët në protestë.
E para, deklaroi ai, është grabitja dyfish e shqiptarëve.
“Rama i grabit dyfish shqiptarët dhe pastaj u bie dyfish me kërbaç. Reagimi në Kukës dhe në mbarë Shqipërinë është kundër padrejtësëisë dhe grabitjes. Nuk shpenzon asnjë cent nga 800 mln euro që ka mbledhur në 5 vite nga taksa e qarkullimit që e ka rritur, por e jep atë me koncesion. Ata që u çuan u çuan për bukën e gojës”, deklaroi Basha në një dalje për gazetarët.
Së dyti, Basha rendit padrejtësinë e dyfishtë, shkruan Top Channel.
“Një javë i la kohë Edi Rama Arbër Çekajt, megjithëse kishte sjellë 613 kilogram kokainë portin e Durrësit. Të lirë janë Habilajt, Balili dhe dhjetra kriminelë, por arrestohen qytetarët që thjeshtë që protestojnë”, tha ai.
Opozita përsërit thirrjen për të refuzuar taksat.
“Mos paguani taksat e rritura, mos paguani TVSH, sepse këto taksa shpërdorohen nga Edi Rama dhe qeveria në pushtet. Mos paguani taksat, kjo është rruga për t’iu kundërvënë grabitjes së dyfishtë dhe padrejtësisë së dyfishtë. Nuk e arreston dot të gjithë popullin”, përfundoi Basha.