Organizata “Let’s Do It Kosova” u bën thirrje publike partive politike që në programet e tyre qeverisëse për zgjedhjet e 11 qershorit, të përfshijnë më shumë çështjet mjedisore në Kosovë.
Për vite me radhë, problemet e mjedisit ndonëse mjaft të theksuara janë lënë anash nga institucionet. Mungesa e zbatimit të ligjeve për mjedisin dhe mungesa e infrastrukturës janë vetëm dy nga problemet me të cilat përballet Kosova në trajtimin e problemeve mjedisore.
Andaj, si organizatë për mbrojtje të mjedisit u bëjmë thirrje subjekteve politike që në programet e tyre qeverisëse të planifikojnë rritjen e buxhetit për mjedis, stimulimin e investimeve në industrinë e riciklimit, duke hartuar politika favorizuese për kompanitë ricikluese, përmirësimin e infrastrukturës për mjedisin dhe hartimin e strategjive për vetëdijesimin e qytetarëve për problemet e mjedisit me të cilat përballet Kosova.
Organizata “Let’s Do It Kosova” ka hartuar strategjinë me rekomandime për zgjidhjen e problemeve të mjedisit, të cilën mund t’ua ofrojë partive politike, në mënyrë që në program të tyre, çështjet mjedisore të kenë prioritet më të madh.
Let’s Do It Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar jo vetëm në adresimin tek institucionet të problemeve mjedisore, por edhe ndërmarrjen e hapave konkret për zgjidhjen e tyre, siç është mobilizimi i qytetarëve në organizimin e aksioneve të shumta, për largimin e mbeturinave nga deponitë ilegale të mbeturinave.
Edhe këtë vit, më 24 maj do të organizohet aksioni i madh i pastrimit në tërë Kosovën, në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, ku mbi 50 mijë vullnetarë do të angazhohen për pastrimin e mbi 200 deponive ilegale të mbeturinave.
Let’s Do It Kosova, thirrjen për pjesëmarrje në aksionin e madh të pastrimit ua adreson edhe partive politike në Kosovë, të cilat tashmë kanë mobilizuar strukturat e tyre për zgjedhje të parakohshme