Thirrje për kujdes të shtuar në trafik

Prishtinë | 04 Sht 2018 | 14:23 | Nga

Me fillimin e vitit të ri shkollor, sikurse vitin e kaluar edhe këtë vit, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së bashku me Kolegjin e Shkencave të Aplikuara Teknike ‘Tempulli’, Forumin e Kosovës për Siguri në Rrugë, dhe Asociacionin Kosovar të Motorizimit AMRKS, kane përpiluar një thirrje për të gjithë pjesëmarrësit në trafik për shtimin e kujdesit gjatë lëvizjes në rrugë.

Në fillim të kësaj Thirrjeje rikujtohet se gjatë periudhës janar-korrik 2018 në Kosovë kanë ndodhur 3.434 aksidente në të cilat janë lënduar 6833 persona, ndërsa më shumë se 5 mijë aksidente trafiku përfunduan me dëme materiale. Gjatë kësaj periudhe kanë vdekur 67 qytetarë si pasojë e aksidenteve në rrugë.

Duke pasur parasysh rrezikshmërinë e lartë në trafik, aksidentet e kësaj vere, por edhe fillimin e vitit shkollor, ku trafiku bëhet më i dendur dhe rrjedhimisht edhe më i pasigurt, sidomos për fëmijët, sikurse vitin e kaluar u bëhet thirrje të gjithë pjesëmarrëseve në trafik për shtimin e kujdesit gjatë lëvizjes në rrugë.

Kjo thirrje për rritjen e sigurisë në rrugë në radhë të parë u drejtohet të gjithë ngasësve të mjeteve motorike që të janë vigjilentë dhe të veprojnë duke respektuar në ploti rregullat dhe shenjat e trafikut.

Bëhet thirrje që në mjedise shkollash të shtohet kujdesi në mënyrë që kështu të rritet siguria për fëmijët gjatë rrugës nga shtëpia në shkollë dhe anasjellas, ndërsa nga fëmijët kërkohet kujdes dhe vëmendje e shtuar gjatë kalimit të rrugës dhe lëvizjes së tyre në grupe.

Meqenëse ende mungon edukimi i mirëfilltë i fëmijëve se si duhet të sillen në trafik, ekspertët e këtyre institucioneve në bazë të hulumtimeve të deritashme të zhvilluara me nxënës në shkollat e vendit lidhur me sigurinë e lëvizjes të fëmijëve në rrugë, japin disa udhëzime dhe rekomandime me masa konkrete për prindërit dhe fëmijët në prag të fillimit të vitit të ri shkollor:

* Udhëzohen prindërit që gjithmonë të shoqërojnë fëmijët nën moshën 10 vjeçare nga shtëpia deri në shkollë dhe anasjellas, përveç kur shkolla gjendet fare në afërsi dhe fëmijët nuk kanë për të kaluar asnjë rrugë.

* Prindërit dhe mësuesit duhet të sigurohen se fëmijët e tyre i njohin rregullat e lëvizjes të sigurt në rrugë dhe të sigurohen se ata i njohin shenjat e trafikut që u përkasin atyre.

* Shoqërimi i fëmijëve nga shtëpia deri në shkollë dhe anasjellas duhet të bëhet përderisa prindërit të sigurohen se fëmijët e njohin mjaftueshëm rrugën dhe i praktikojnë në tërësi udhëzimet duke lëvizur të sigurt.

* Prindërit dhe mësuesit duhet t’i udhëzojnë fëmijët që të përdorin të njëjtën rrugë çdo ditë dhe të shmangin shkurtesat dhe kryqëzimet e panevojshme, parkingjet, etj.

* Fëmijët duhet të kanë veshje komode për të lëvizur lirshëm (jo veshje që kufizojnë lëvizjen e tyre). Mundësisht fëmijëve të ju vendosen në çanta ose në veshje të jashtme të trupit shirita fluoreshentë (shndritshme) për tu vërejtur më lehtë nga pjesëmarrësit tjerë në trafik.

* Udhëzoni dhe mësoni fëmijët që mos të lëvizin në rrugë ndërmjet automjeteve të parkuara, vend punishteve ose pengesave tjera në rrugë.

* Udhëzohen prindërit që të marrin nga mësuesit ose kujdestarët orarin e saktë të fillimit dhe mbarimit të mësimit dhe për çdo ditë të monitorojnë kohën dhe sigurinë e lëvizjes së fëmijëve.

* Gjithmonë udhëzoni dhe mësoni fëmijët se gjatë kalimit të rrugës patjetër duhet shikuar në të dyja anët e rrugës para se të kalojnë në anën tjetër të rrugës. Të mos kalojnë rrugën edhe kur në semafor kanë shenjën e ndezur për kalim të lirë, pa i shikuar sërish të dy anët e rrugës dhe pasi të sigurohen atëherë të kalojnë në anën tjetër të rrugës.

* Fëmijët duhet të udhëzohen dhe mësohen të mos ndalojnë rrugës dhe nëse ata ndihen të pasigurt të kërkojnë ndihmë nga të rriturit.

* Prindërit të sigurohen që transportimi i fëmijëve te tyre, nga shtëpia në shkollë dhe anasjelltas të bëhet në mënyrë të rregullt dhe të sigurt nga kombibusët e licencuar dhe mjetet tjera motorike.

Po ashtu, luten të gjithë prindërit që të mos bllokojnë me automjetet e tyre hyrje-daljet e shkollave kur ata shkojnë për të shoqëruar fëmijët. Udhëzohen prindërit që automjetet e tyre t’i parkojnë më larg shkollës dhe të ecin deri te shkolla, në të kundërtën përveç që vazhdimisht bllokojnë rrugët në afërsi të shkollave ata pa dashje rrezikojnë edhe sigurinë e nxënësve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme