Policia në Sarandë ka goditur një grup kriminal që dyshohet se ka kryer disa vjedhje dhe grabitje.
Lidhur me këto dyshime, janë arrestuar katër persona në kuadër të operacionit të koduar “Focus”, derisa edhe një person tjetër është shpallur në kërkim.
Gjithashtu, janë sekuestruar sende të dyshuara të vjedhura, si edhe automjeti që dyshohet se përdorej për kryerjen e grabitjeve.
Të arrestuarit janë B. A. 27 vjeç, B. C. 32 vjeç dhe E. D. 30 vjeç, të tre banues në Tiranë dhe Sh. D., 33 vjeç, banues në Durrës.
Derisa, personi që mbetet në kërkim është shtetasi O. Sh., 39 vjeç, banues në Fier.
“Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kryenin vjedhje me thyerje, në banesa dhe në automjete. Gjatë periudhës 25.06.2026-27.06.2026, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në zona të ndryshme në Sarandë, kanë vjedhur shuma të konsiderueshme parash, laptopë, tablet, sende me vlerë dhe dokumente personale, në 5 automjete të cilave iu kanë thyer xhamat dhe në 1 banesë.”, thuhet në njoftim.
Policia ka njoftuar se do të vazhdojnë hetimet për zbardhjen e të gjitha rrethanave dhe kapjen e të dyshuarve tjerë që mund të jenë të përfshirë në këto vepra penale.