Ish-mesfushori i Liverpoolit, Danny Murphy, beson se Philippe Coutinho nuk do të pritej mirë nga tifozët e klubit edhe nëse vendos të kthehet nga Barcelona. Gjithashtu, Murphy ka thënë se Mohamed Salah nuk do të largohet, përkundër interesimit të Juventusit.
Spekulimet për transferime kanë filluar të intensifikohen përsëri në Anfield, pas përfundimit të afatit kalimtar të janarit dhe para se të fillojë afati i verës.
Njëri ndër lojtarët e shumë, për të cilët është përfolur për një transferim në Liverpool, është edhe Coutinho, i cili nuk ka arritur ta dëshmojë veten në Barcelonë, që kur e shkëmbeu stadiumin “Anfield” me “Camp Nou”.
“Coutinho nuk do të mirëpritej kurrë më në Liverpool. Ai nuk është përshtatur në Barcelonë, por ai e kishte vendosur të ardhmen kur deklaronte se sa shumë dëshironte të largohej dhe tani duhet t’i vuajë pasojat”, ka thënë Murphy.
“Mendoj se edhe nëse Liverpooli do të dëshironte ta kthente atë, tifozët do t’ia bënin drejtuesve plotësisht të qartë se një transferim i tillë nuk është i pranueshëm, kështu që Liverpooli do të duhej të dorëzohej”.
“Tifozët nuk ia kanë marrë atij inati për kalimin e tij në Barcelonë, mirëpo ai, me deklaratat e tij, ai mbylli vetes dyert për t’u kthyer në Anfield”.
“Unë nuk mendoj se Salah do të dëshirojë të largohet nga Liverpooli dhe Premierliga. Kam parë lajme që Juventusi është i interesuar, por kjo gjë nuk do të ndodhë. Premierliga është shumë më nxitëse dhe garuese se Serie A dhe Liverpooli ka më shumë mundësi ta fitojë titullin e Ligës së Kampionëve sesa Juventusi”.
“Salah është një lojtar i cili gjithmonë do të jetë i lidhur me transferime të mundshme në klubet më të mëdha të Evropës, mirëpo ai është i lumtur në Liverpoolit dhe tifozët e duan atë. Ai është duke luajtur në nivelin e tij më të lartë në Liverpool’.